Shtëpia e Bardhë shpërthen ndaj Komitetit Nobel pasi çmimi pë Paqen iu dha María Corina Machado : Zgjodhët politikën, jo paqen

10/10/2025 22:30

Shtëpia e Bardhë ka akuzuar Komitetin e Çmimit Nobel për vendosjen e politikës mbi paqen, pasi Çmimi Nobel për Paqen iu dha aktivistes pro-demokracisë nga Venezuela, María Corina Machado, dhe jo Presidentit amerikan Donald Trump.

Këtë të premte, u njoftua se Machado do të nderohej për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin venezuelian.

“Komiteti i Nobelit vërtetoi se ata e vënë politikën mbi paqen”, deklaroi drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung.

Në një postim në X, Cheung shtoi se: “Presidenti Trump do të vazhdojë të bëjë marrëveshje paqeje, t’i japë fund luftërave dhe të shpëtojë jetë. Ai ka zemrën e një humanisti dhe nuk ka askënd si ai që mund të lëvizë malet me forcën e vullnetit të tij”.

Trump ka kërkuar prej kohësh Çmimin Nobel për Paqen, duke theksuar rolin e tij në nxitjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfundimin e disa konflikteve globale. Dy ditë para njoftimit të çmimit, ai ndërmjetësoi një marrëveshje për armëpushimin në Gaza, një zhvillim që Shtëpia e Bardhë e cilësoi si fitore për paqen.

Ndërkohë edhe Presidenti rus, Vladimir Putin, komentoi se Trump po bën shumë për të zgjidhur kriza komplekse, ndërsa Trump e falënderoi publikisht duke shkruar: “Faleminderit Presidentit Putin!” dhe duke shpërndarë videon e tij ku theksohej se ky çmim ka humbur besueshmërinë.

Vetë Machado e përfshiu Trump në falënderimin e saj pas fitores: “Ia dedikoj këtë çmim popullit që vuan nga Venezuela dhe Presidentit Trump për mbështetjen e tij vendimtare për kauzën tonë!”, shkroi ajo në X. Ndërkohë Trump e rindau menjëherë mesazhin në Truth Social.

Megjithatë, përpjekjet e Trump për ta fituar çmimin këtë vit u penguan nga afatet formale. Ende nuk është e qartë se cilat arritje specifike do ta kishin kualifikuar Trump këtë vit. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon pavarësisht përpjekjeve të tij për ndërmjetësim, ndërsa armëpushimi Izrael–Hamas mbetet në fazën fillestare.

Në mandatin e tij të dytë, Trump ka ndjekur politikën Amerika e para, duke theksuar rolin e SHBA-së në ekonominë dhe diplomacinë globale. Pak pas marrjes së detyrës, këshilltari i tij Elon Musk mbikëqyri shpërbërjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që jepte ndihma humanitare në mbarë botën.

Sipas Komitetit të Nobelit, Çmimi i Paqes u jepet individëve që kontribuojnë në çarmatimin, negociatat për paqe, promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Por disa politika të brendshme të Trump, përfshirë deportimet masive dhe përdorimin e Gardës Kombëtare për patrullim në qytete, kanë shkaktuar kritika nga demokratët dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

Deri më sot, vetëm katër presidentë amerikanë kanë marrë Çmimin Nobel për Paqen, Theodore Roosevelt, Woodrow Wilson, Jimmy Carter dhe Barack Obama.

Top Channel