Avokati dhunoi punonjësin e sigurimit në Vlorë, reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë: Ngjarje e pahijshme, do marrim masa

10/10/2025 15:54

Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar pas incidentit që ndodhi ditën e sotme, ku avokati Redi Llanaj dhunoi punonjësin e sigurisë së Gjykatës së Vlorës.

Reagim i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë për Incidentin në Gjykatën e Vlorës

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dënon incidentin e dhunës në të cilin është përfshirë avokati Redi Llanaj, anëtar i Dhomës së Avokatise, Vlorë në ambientet e Gjykatës së Vlorës.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë distancohet nga kjo ngjarje duke e vlerësuar atë të papërshtatshme dhe të pahijshme për figurën e Avokatit. Në të njëjtën kohë ndjejmë keqardhje që ky incident ka ndodhur në ditën e bojkotit të vendosur nga DHASH, pikërisht për të ndalur fenomenin e dhunës ndaj funksionarëve dhe punonjësve në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet ngjarjes së Gjyqtarit Astrit Kalaja.

DHASH njofton të gjithë avokatët dhe opinionin publik se po e ndjek me shqetësim dhe seriozitet këte ngjarje dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar rastin e këtij avokati. Në të njëjtën kohë, inkurajojmë institucionet përkatëse të hetojnë dhe të zbardhin këtë incident të shëmtuar.

Top Channel