Zelensky: Na jepni Tomahawk dhe ne do ta nominojmë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

09/10/2025 17:19

Kievi do ta nominojë Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen nëse ai dërgon raketa Tomahawk në Ukrainë dhe ndihmon në negocimin e një armëpushimi me Rusinë, tha të enjten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Gjatë takimit tonë më të fundit, nuk dëgjova një ‘jo’. Ajo që dëgjova ishte se puna do të vazhdojë në një nivel teknik dhe se kjo mundësi do të merret në konsideratë”, u tha Zelensky gazetarëve në Kiev në lidhje me një takim që pati me presidentin amerikan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në fund të shtatorit.

“Plani për t’i dhënë fund luftës nuk do të jetë i lehtë, por sigurisht që është rruga përpara. Dhe nëse Trump i jep botës dhe mbi të gjitha popullit ukrainas një shans për një armëpushim të tillë, atëherë po, ai duhet të nominohet për Çmimin Nobel për Paqen, ne do ta nominojmë atë në emër të Ukrainës”, tha Zelensky, siç raportohet nga Politico.

Trump, i cili pretendon se ka përfunduar shtatë luftëra (pa përfshirë marrëveshjen e Gazës), është i etur të fitojë çmimin. Ai madje i ka telefonuar Ministrit Norvegjez të Financave, Jens Stoltenberg, për ta pyetur për kandidaturën e tij…
Presidenti ukrainas vuri në dukje se Kievi kishte kërkuar raketa precize me rreze të gjatë veprimi gjatë mandatit të Bidenit, por kërkesa u refuzua. Trump tha të hënën se ai kishte marrë “në një farë mënyre” një vendim nëse do t’i dërgonte raketat.

Top Channel