Vrasje makabër në Itali/ 25-vjeçarja i merr jetën tre foshnjave të saj, si tentoi t’i shpëtonte policisë duke i fshehur trupat e tyre në dollap

09/10/2025 14:24

Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Itali, ku një 25-vjeçare është arrestuar nga autoritetet me akuzën e mbytjes së dy fëmijëve të porsalindur, fshehjes së trupave të tyre në një dollap dhe vrasjen e një foshnje tjetër që ajo kishte lindur në vitin 2022.

Me urdhër të gjyqtarit hetues, ndaj saj është vendosur arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike, ndërkohë që i dashuri i saj është nën hetim për ndihmë dhe inkurajim në kryerjen e krimeve.

Ngjarja u zbulua në korrik 2024, kur nëna e 25-vjeçares, duke ndjerë një erë të rëndë në shtëpi, kontrolloi dhomën e vajzës dhe zbuloi dy trupa të foshnjave të mbështjellë me batanije në një dollap. Ajo njoftoi menjëherë policinë, e cila nisi hetimet.

Përmes kamerave të sigurisë u konfirmua se 25-vjeçarja kishte qenë vetëm në shtëpi mes orës 19:00 dhe 20:30 më 8 korrik 2024, periudha kur dyshohet se ndodhi lindja dhe mbytja e fëmijëve. Hetuesit gjetën gjithashtu prova të rëndësishme në Poliklinikën e Mesinës, ku gruaja kishte kryer një kyretazh pas një gjakderdhjeje të rëndë. Analizat biologjike konfirmuan se fëmijët ishin të lindur të gjallë dhe vdekja e tyre ishte shkaktuar nga mbytja.

Gjatë kohës kur ajo ishte e shtruar në spital, e reja kishte mohuar kategorikisht se kishte qenë shtatzënë, pavarësisht simptomave të qarta fizike dhe gjakderdhjes së rëndë. Ndërkohë, hetimet zbuluan një episod të mëparshëm në vitin 2022, kur çifti kishte pasur mosmarrëveshje për një shtatzëni të padëshiruar. Nga bisedat në celular u zbulua se ajo kishte lindur edhe atëherë dhe dyshohet se i ka marrë jetën fëmijës së tretë, duke fshehur edhe atë ngjarje.

Hetimet për këtë rast të rëndë vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse ka pasur edhe persona të tjerë që kanë pasur dijeni ose kanë ndihmuar në fshehjen e këtyre krimeve.

Top Channel