Top Story/ Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë nga Kushtetuesja, Luçiano Boçi: Do vijojmë mbështetjen për Binajn, ‘fituam’ më tepër kohë për fushatë

09/10/2025 21:37

Vendimi i dhënë sot nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e garës zgjedhore për Tiranën në 9 nëntor, për demokratin Luçiano Boçi, nuk afekton në zgjedhjen e kandidatit të ri, por se mbështetja e opozitës do të vijojë të jetë për Florjan Binajn.

Në emisionin “Top Story” në Top Channel, ai u shpreh se sipas parashikimeve të tij, marrë në konsideratë dhe eksperiencën, pas këtij pezullimi, data 9 nëntor është thuajse e pamundur që të shkohet në zgjedhje të parakohshme për Tiranën, por se me shumë gjasë data e re do të jetë 30 ditë pas 31 tetorit, kur Kushtetuesja të marrë vendimin për këtë çështje të ankimuar nga Erion Veliaj.

“Duhet të presim atë që do parashtrojë Kushtetuesja në 31 tetor dhe do qartësohet gjithçka për pasjen e një date. Nga përvoja ime, data 9 nëntor për Tiranën duket e pamundur. Pezullimi i datës do të thotë dhe pezullimi i datës së fushatës zgjedhore. Marrja e një vendimi në 31 tetor, dikton që pas kësaj datë duhet të ketë një periudhë të re shtyrje prej 30 ditësh për fushatën për datën e re. Kreu i PD tha se nuk e afekton kjo kandidatin që mbështet opozita, Florjan Binaj. Më mirë që kemi më tepër kohë për fushatë”, tha Boçi.

I pyetur nga Grida Duma se përse PD duartrokiti vendimin e Kushtetueses, vendime të së cilët më parë i ka “vënë në pikëpyetje”, Boçi sqaroi: PD nuk ka duartrokitur për shtyrjen e zgjedhjeve, por për tendencën e Kushtetuese për të vendosur ligjin para tendencave politike, apo shtyrjeve ose ndikimit politik. Mesazhi i shpërndarë në grupin e PS, tregon se kanë njohuri për vendimin.

 

Top Channel