
Zhvillohet në Belfast takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.
Britania e Madhe si kryesuese e radhës së këtij formati fokuson temat e pajtimit, sigurisë, integrimit rajonal dhe migracionit.
Qëllimi i takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në formatin e Procesit të Berlinit është mbështeja e shteteve të Ballkanit Perënimdor në rrugën e afrimit me BE-në.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul,përpara nisjes për në Belfast deklaroi, se “Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes europiane. Ndaj është për ne e qartë: Rrugën e nisur drejt BE-së do ta përshkojmë bashkë me të gjashtë vendet e rajonit.
Katalizatori në procesin e antarësimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor është procesi i Berlinit. Ky funksion është më i rëndësishëm se kurrë. Sepse njerëzit kanë filluar ta humbasin besimin për një të ardhme të shpejtë në BE. Por këtë ne nuk mund ta pranojmë, sepse në rast të kundërt kërcënon një kthim në kohët e vjetra të armiqësive dhe një rol më i madh i Rusisë dhe Kinës.
Në Procesin e Berlinit synohet gjithashtu të arrihet nxitja e bashkëpunimit të përditshëm dhe përmirësimet e prekshme në jetën e njerëzve – qoftë përmes punës ndërkufitare me rininë, qarkullimin e lirë dhe njohjen reciproke të diplomave. ”
Forca simbolike e Belfastit në procesin e pajtimit
Ministri Wadephul duke iu referuar procesit të vështirë të pajtimit dhe afrimit ndërmjet popujve në Ballkanin Perëndimor me një të kaluar luftrash e konfliktesh ende të pazgjidhura, nënvizon në deklaratën e tij: “Natyrisht që në rrugën e pajtimit pjesërisht ka ende shumë hapa për të bërë. Ndaj edhe për këtë arsye vendi, që e kanë zgjedhur miqtë tanë britanikë si nikoqir të këtij takimi të ministrave të Jashtëm, ka një rëndësi të veçantë: Belfasti është simbol se si pas një përçarjeje prej dekadash pajtimi shoqëror u bë i mundur. Jo brenda natës, por me durim, vullnet politik, e në radhë të parë falë guximit të shumë njerëzve, që në situata të vështira vazhdimisht arrijnë ta kuptojnë dhe të afrohen me njeri-tjetrin”, thekson ministri i Jashtëm gjerman.
Britania e Madhe kryesuese e radhës së Procesit të Berlinit
Pikërëndesat e kryesisë britanike të radhës në këtë proces sivjet janë temat e pajtimit, sigurisë, integrimit rajonal dhe migracionit. Më 22 tetor do të pasojë samiti i kryetarëve të shteteve dhe qeverive në Londër.
Që prej vitit 2014 Procesi i Berlinit mbështet bashkëpunimin rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Krahas Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në këtë format marrin pjesë edhe disa vende të BE-së si dhe Mbretëria e Bashkuar dhe disa institucione të BE-së.
/dw
Top Channel