Shuhen shpresat për paqe në Ukrainë pas takimit Trump-Putin, Moska akuzon Europën: Shpresojmë t’i dini pasojat

09/10/2025 15:37

Pas samitit të mbajtur në Alaskë, ku Presidenti amerikan Donald Trump u takua me Presidentin rus Vladimir Putin, duket se optimizmi për një valë të re diplomacie në lidhje me luftën në Ukrainë është shuar.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, deklaroi se “momentumi i fortë i Anchorage për një marrëveshje është kryesisht i shteruar”, duke fajësuar për këtë veprimet shkatërruese të vendeve evropiane, që sipas tij, po minojnë çdo përpjekje për paqe.

Deklarata vjen në një kohë kur në Uashington po shqyrtohet mundësia e dërgimit të raketave me rreze të gjatë Tomahawk në Ukrainë — armë që mund të godasin objektiva strategjikë rusë deri në 2,500 kilometra largësi.

Ryabkov e cilësoi këtë një hap tejet të rrezikshëm, duke theksuar: “Përdorimi hipotetik i sistemeve të tilla të armëve është i mundur vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të personelit amerikan. Shpresoj që ata që e shtyjnë Uashingtonin drejt këtij vendimi, ta kuptojnë thellësinë e pasojave.”

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ushtria ruse ka marrë urdhër të sulmojë me çdo kusht pozicionet ukrainase në zonat e Pokrovskut, Donetskut dhe Donbasit, duke theksuar se si pasojë, Rusia po përjeton humbje të konsiderueshme në front.

Nga ana tjetër, inteligjenca ukrainase paralajmëroi se sanksionet ndërkombëtare po e çojnë sektorin ajror rus drejt kolapsit: qindra avionë rrezikojnë të dalin jashtë përdorimit deri në vitin 2030, për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit dhe mirëmbajtjes.

Situata në terren dhe në prapaskenat diplomatike mbetet e tensionuar, ndërsa vendimet që do të merren në javët e ardhshme në Uashington dhe Bruksel mund të përcaktojnë qartë nëse konflikti do të thellohet, apo do të mbeten ende hapësira për një zgjidhje paqësore.

Top Channel