
Analisti, Ervin Karamuço i ftuar në “Top Story” nga Grida Duma, komentoi vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
Karamuço tha se nuk është mirë që institucionet e larta të drejtësisë po fajësojnë njëri tjetrën për rastin tragjik që tronditi gjyqësorin.
“Nuk ishte farë mirë që të shikoja autoritetet më të larta të drejtësisë, t’ia shkarkonin njëri tjetrit se kush e ka fajin. Të gjithë kanë kthyer radarët nga KLGJ-ja. Tani ne jetojmë në një realitet ku reforma nuk ka ecur siç duhet, dhe qoftë KLGJ qoftë KLP i kanë duart e lidhura. Për shumë aspekte që kanë të bëjnë me sigurinë sepse do vendimmarrje politike lart. Është e pamundur sado t’i dërgosh shkresa dhe është i vetmi organ që ka sjellë shkresa, ndër vite. Dhe jo vetëm kaq, janë bërë takime më ministrin e Brendshëm, që ‘ore çfarë do bëjmë’”, tha Karamuço.
Ai shtoi se masat e sigurisë duhet të ishin marrë që në vitin 2007, ku desh u vra një gjyqtare.
“E kishim rastin që në 2007 ku desh na u vra gjyqtarja dhe për fat të mirë nuk iu shkrep arma, duhet të ishin marrë që atëherë masat dhe nuk u bë. Tani e kemi shumë të lehtë të themi hajde KLGJ e ka fajin. Çfarë do të bëjë KLGJ pa fondet, se kush i ka në dorë këto, i ka KLGJ-ja? Nuk e ka. E ka ministria e Brendshëm dhe qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave”, u shpreh analisti.
Top Channel