Mbledhja e gjyqtarëve/ Dvorani: Kërkojmë ndërhyrje shtetërore për sigurimin e jetës

09/10/2025 12:05

Ardian Dvorani, Zëvendëskryetar i Gjykatës Administrative të Apelit, gjatë mbledhjes së gjyqtarëve që u mbajt pas vrasjes së Astrit Kalasë, bëri thirrje për ndërhyrje shtetërore për sigurimin e jetës.

Ndër të tjera, Dvorani vlerësoi kontributin e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja dhe kërkoi marrjen e masave konkrete për të garantuar mbrojtjen e jetës dhe integritetit të çdo gjyqtari, si dhe për të përmirësuar infrastrukturën, burimet njerëzore dhe besimin publik ndaj gjykatave.

Fjala e mbajtur:

Vlerësoj se kjo është një ditë e veçantë për shumë arsye. Jemi mbledhur të gjithë së bashku, të ndajmë mendime dhe shqetësime për gjendjen aktuale, zgjidhjet që mendojmë se janë të nevojshme, duke i adresuar qartë përgjegjësitë që janë tonat dhe përgjegjësitë që janë të organeve të tjera, duke menduar e identifikuar mekanizma tonat për të vëzhguar dhe kontribuar në emër të gjyqtarëve në adresimin e sfidave dhe problemeve. Gjithashtu, mendoj se ky nuk duhet të jetë takimi jonë i vetëm në të tillë nivel.

Duket se në këto ditë, pas vrasjes në ushtrim të detyrës, në sallën e gjykimit dhe në shpalljen e vendimit në emër të Republikës të gjyqtarit të nderuar, njëkohësisht njeriut të mirë aq social e pozitiv, të paharruarit Astrit Kalaja, e gjithë vëmendja po adresohet tek masat e munguara dhe ato që duhet të garantohen për të siguruar jetën, shëndetin dhe ushtrimin normal e të patrazuar të detyrës së gjyqtarëve, prokurorëve e pse jo të avokatëve, punonjësve të tjerë të drejtësisë dhe të pjesëmarrjes së publikut që është palë apo ndjek seancat gjyqësore, brenda dhe jashtë godinave të gjykatave.

Sigurisht që është momenti për tu ndalur me forcë dhe për të kërkuar marrjen e masave të menjëhershme dhe në vijim masave afatgjata e të qëndrueshme për të garantuar sigurinë në veprimtarinë gjyqësore.

Këto ditë, në biseda mes kolegëve, kemi sjellë në kujtesë se ngjarje të tillë nuk kemi pasur as në vitin 1997, në një periudhë kur shteti në të gjitha hallkat e tij u trondit në themel, për të mos thënë që pati rënë dhe kur gjuha e armëve jo vetëm na kërcënoi jetën dhe shëndetin, por sfidonte njerëzit në përballjen edhe me nevojat dhe hallet e tjera të përditshmërisë së jetës sonë.

Vlerësoj të sjell në vëmendje se, aktualisht, jetojmë në një krejt Shqipëri tjetër. Por, gjithsesi, nuk mund të thuhet se konfliktet politike, sociale dhe ekonomike janë më pak sfiduese dhe më pak të mprehta se sa ato të dy dekadave më parë.

Ndryshe nga shumë vite më parë, drejtësia në këto kohë po godet, heton dhe gjykon me shumë më tepër vendosmëri dhe vijueshmëri shkeljet e ligjit nga institucione dhe nga funksionarë në nivelet më të larta politike dhe institucionale. Gjithashtu, me nivelet më të larta të krimit të organizuar.

Nga ana tjetër, përpara gjykatave dhe institucioneve të drejtësisë po trajtohen dhe vendosen çështje që kanë të bëjnë me interesa gjithnjë e më të ndjeshme dhe të larta ekonomike, e jo vetëm.

Këto zhvillime natyrshëm që shoqërohen me një interesim, investim dhe kundërveprim shumëformësh, të pa ndeshur më parë, të politikanëve të caktuar, të segmenteve të caktuara të politikës, të botës ekonomike dhe botës së krimit, të cilët investohen për të përdorur çdo mjet, e siç po ndodh gjithnjë e më shpesh, edhe me segmente të caktuara të mediave, me synimin për të shantazhuar, kërcënuar, si edhe për të denigruar gjyqtarët e jo vetëm ata, në dinjitetin e tyre personal e profesional, pa kursyer as rrethin e tyre familjar.
Sigurisht, kjo po ndodh me synimin e qartë që jo vetëm ti pengojnë dhe mënjanojnë magjistratët nga përmbushja e misionit të tyre për të dhënë drejtësi, që në fakt përkthehet në materializimin e nevojës së shtetit dhe të shoqërisë sonë që t’i sfidosh dhe t’i përballësh me ligjin të gjithë këto segmente të pushtetshme politikisht, ekonomikisht dhe mediatikisht, pikërisht në pandëshkueshmërinë dhe paprekshmërinë e tyre, në sigurinë dhe rehatinë e tyre lidhur me standardet dhe privilegjet ekonomike e jo vetëm, e që do të duhet ti vërtetojnë para ligjit dhe drejtësisë se si ia kanë krijuar vetes dhe atyre që mbajnë rrotull vetes.

Për të gjitha këto arsye, si rezultat e veprimit të këtyre faktorëve dhe të shfrytëzimit prej tyre të burimeve të pakufishme që zotërojnë, përfshirë edhe mundësive e hapësirave që ofron teknologjia e sotme në media dhe faqet sociale, po përjetojmë sulme dhe etiketime tërësisht primitive dhe të papranueshme në raport me parimet dhe standardet Kushtetuese të një shteti të së drejtës dhe me regjim demokratik, e që vijnë ndesh në mënyrë flagrante edhe me standardet, praktikat e mira e normale të lirisë së shprehjes dhe mendimit, si edhe të etikës së komunikimit në një vend normal demokratik. Kjo sjellje dhe veprim, herë i qëllimshëm dhe herë i pamatur dhe i papërgjegjshëm, vërehet veçanërisht nga një pjese të atyre të cilëve u është besuar nga populli ushtrimi i pushtetit dhe nga një pjese prej atyre të cilëve u është besuar kamera dhe mikrofoni i masmediave.

E gjithë kjo veprimtari intensive dhe që zgjat prej vitesh, herë nëpër kulisa dhe herë në mënyrë të hapur, me natyrë dhe synime alarmante shantazhuese, denigruese, madje edhe tallëse ndaj magjistratëve, gjyqtarëve, pushtetit gjyqësor dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, ka synuar dhe synon jo vetëm goditjen pa asnjë ndjeshmëri njerëzore e skrupull të secilit gjyqtar e magjistrat të angazhuar në çështje të caktuara që bien ndesh me interesat konkrete të tyre, por njëkohësisht përbën edhe një objektiv tjetër të qëndrueshëm.

Së pari, objektivin për krijimin dhe forcimin e një opinioni se nuk janë ata përgjegjës për problemet dhe konfliktet me të cilat përballen njerëzit në këtë vend, por është sistemi i drejtësisë, janë gjykata e gjyqtarët përgjegjës e shkaktarë të vetëm të tyre. Madje ata vetë jo vetëm nuk janë përgjegjës, por janë shpëtimtarët e vetëm dhe duhet që të gjithë të lutemi e ti kemi përherë mbi krye që të na ndërtojnë e garantojnë jetën dhe fatin tonë si qytetarë të këtij vendi.

Së dyti, është një angazhim i tyre që synon (1) relativizimin e misionit kushtetues dhe uljen e autoritetit të pushtetit gjyqësor, (2) synon goditjen e çdo përpjekjeje dhe angazhimi që gjykatat të bëjnë drejtësi duke funksionuar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, (3) synon dhënien e mesazheve të shpeshta e të zhurmshme, adresuar gjithë opinionit publik dhe kujtdo tjetër të interesuar a të përfshirë, se janë pikërisht këto segmente të caktuara të politikës, e jo vetëm të politikës, që kanë fjalën, të parit dhe të fundit, për çdo çështje, interes dhe për zgjidhjen e konflikteve, (4) se janë pikërisht ata që kanë në dorë edhe fatin e gjyqtarëve, magjistratëve dhe profesionistëve të tjerë të drejtësisë, se janë pikërisht ata që në fakt japin dhe mëshirojnë drejtësinë për këdo që ka një kërkesë, nevojë, hall dhe përballje me ligjin.

Sigurisht, kërcënimet dhe sulmet në çdo formë, madje edhe ato që rrezikojnë shëndetin dhe mund të marrin jetën e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe njerëzve të drejtësisë mund të vijnë edhe nga njerëz problematikë në jetë, personalitet apo gjendje mendore. Ngjarje të tilla, edhe pse rrallë, mund të ndodhin, sikurse në fakt edhe kanë ndodhur kudo, edhe në botën demokratike. Gjithsesi nevojitet reflektim i thellë për të identifikuar dhe trajtuar edhe shkaqet përkatëse dhe për masat që duhet të merren për parandalimin e tyre.

Por, ajo që është më shqetësuese është se, në rastin më të mirë, shpalosja në veprimtari publike, politike dhe në masmedia e qëndrimeve dhe opinioneve jo profesionale, shpesh të pamatura, aspak racionale dhe etike, për gjyqtarët, gjykatat dhe sistemin e drejtësisë, shfaqja e opinioneve me përmbajtje dhe mesazhe që relativizojnë veprimin dhe forcën e ligjit dhe të institucioneve, përfshirë ato të drejtësisë, si edhe në rastet e tjera, etiketimet dhe sulmet e qëllimshme e të paskrupullta për të deligjitimuar gjyqtarët konkretë e në tërësi autoritetin e drejtësisë, sjellin si pasojë dëmtimin e paqes sociale dhe të përpjekjeve për uljen e konfliktualitetit në shoqëri.

Në mënyrë të qëllimshme ose jo, sjellin edhe keqorientimin dhe uljen e besimit të publikut e të njerëzve që kanë probleme me ligjin apo çështje të tyre personale që duhet t’i zgjidhin në gjykata me anë të ligjit, duke i dhënë të kuptojnë se mund ti zgjidhin ato në rrugë të tjera, madje me vetëgjyqësi. E sigurisht, për këtë gjendje, njerëz të caktuar që binden dhe orientohen se nuk mund të presin më drejtësi dhe zgjidhje nëpërmjet ligjit, e drejtojnë gishtin, agresionin fizik dhe moral, e pse jo edhe armën, tek gjyqtarët. Ata këto mjete mund të kenë apo aq kuptojnë se mund të kenë në dispozicion, kur shohin se të pushtetshmit në politikë e jo vetëm, gishtin dhe “armët” e tyre politike, të fjalës dhe mediatike, ia kanë drejtuar në mënyrë të qëllimshme gjyqtarëve, ndërkohë që janë ata vetë shkaku kryesor i problemeve, halleve dhe konflikteve me të cilat njerëzit përballen.

Pikërisht, për sa parashtrova më sipër mendoj dhe besoj se së pari duhet ti bëjmë thirrje për reflektim atyre që në mënyrë të paqëllimtë janë kontribuues në këtë gjendje.

Po kështu, së dyti, të gjejmë mjetet dhe mënyrat për ti shpjeguar dhe për t’i sensibilizuar të gjitha faktorët shoqërorë e jo vetëm, në mënyrë të qëndrueshme dhe rast pas rasti, për qëllimet dhe dëmin e sipërshpjeguar që kanë sjellë dhe po sjellin ato faktorë të tjerë, që në mënyrë të qëllimshme, veprojnë për të deniguar gjyqtarët dhe autoritetin e gjykatave.

Së treti, mjete dhe mënyra duhet të gjenden dhe zbatohen për ti shpjeguar opinionit publik sfidat, pamundësitë dhe pengesat objektive me të cilat përballet sistemi gjyqësor dhe i drejtësisë. Pse jo, të pranohet dhe t’i shpjegohet opinionit publik, kur është rasti e kohë pas kohe, edhe se cilat janë përgjegjësitë dhe mangësitë në veprimtarinë e gjykatave apo në shqyrtimin e çështjeve të veçanta.

Në vijim vlerësoj të ndalem shumë shkurt në disa problematika të tjera, të cilat janë të lidhura dhe impaktojnë reciprokisht trajtimin e tyre, për të cilat diskutuan dhe do të diskutojnë edhe kolegë të tjerë.

Një çështje madhore, për të cilën duhet të kemi qëndrim dhe të kërkojmë zgjidhje afatshkurtra dhe deri në ato afatgjata, janë vlerësimet e gabuara apo veprimi i ngadaltë apo i munguar nga institucionet përgjegjëse, nga KLGJ dhe deri tek ekzekutivi e Kuvendi, për ti siguruar gjykatave burimet njerëzore të nevojshme për ushtrimin normal të veprimtarisë gjyqësore. Gjykatave, veçanërisht atyre më të mëdha dhe që mbajnë pjesën më të rëndësishme të ngarkesës së punës, u mungon edhe numri i gjyqtarëve të miratuar në organikë. Pa diskutuar këtu për vlerësimin që duhet të bëhet se sa duhet të jetë numri i gjyqtarëve në Shqipëri në një vizion afatgjatë dhe kjo jo vetëm në kuadër të rishikimit periodik të hartës gjyqësore.
Në ligjin tonë për organizimin e pushtetit gjyqësor kemi të parashikuar edhe një funksion që pak sisteme gjyqësore e kanë në dispozicion. Janë ndihmësit ligjorë, të parashikuar në numër të përgjithshëm të njëjtë me atë të gjyqtarëve. Ata, nëse përzgjidhen si duhet dhe janë të përgatitur mund të ndihmojnë gjyqtarin që të përmirësojë ndjeshëm performacën e tij. Por, ndonëse po kalojnë 8 vite, Shkolla e Magjistraturës arrin të formojë çdo vit një numër shumë të vogël kandidatësh. Ndërkohë, nisma jonë ligjvënëse për ta dyfishuar numrin e përgjithshëm të tyre dhe për t’i përzgjedhur vetë gjykatat dhe jo Shkolla, me konkurs, kritere të posaçme dhe trajtim financiar më të mirë, duket se po has diskutime në Kuvend dhe me ekspertizën e huaj. Nga ana tjetër edhe stimuli për ti bërë ndihmësit ligjorë gjyqtarë pas një periudhe kohore nuk mendoj se është racionale sepse nevoja për magjistratë nga Shkolla gradualisht po kthehet në normalitet. Nëse do të konvertonim pas një kohe ndihmësit në magjistratë, atëherë Shkolla nuk do të kishte më nevojë për kandidatë magjistratë duke u konvertuar në Shkollë ndihmesash dhe nëpunësish gjyqësorë, duke e cenuar kështu vetë misionin dhe detyrën thelbësore kushtetuese të saj, të prodhojë magjistratë. Në këto kushte, nëse nisma ligjvënëse nuk pranohet, një zgjidhje është të kërkojmë mbështetje buxhetore, për ta zbatuar që vitin e ardhshëm, duke e shtrirë gradualisht në të gjitha gjykatat, pra një nismë që për një periudhë disa vjeçare, të rekrutojmë me kontrata me afat juristë, duke aplikuar të njëjtën skemë të zbatuar suksesshëm për disa vite në Gjykatën e Lartë dhe për rreth 6 muaj në dy gjykatat e apelit, nëpërmjet projektit të NUNCP-ave, të mbështetur dhe financuar nga qeveria e SHBA.

Një tjetër çështje madhore ku po ndalem shkurtimisht është infrastruktura e munguar në pjesën dërmuese të gjykatave. Kemi mangësi thelbësore për funksionimin normal të gjykatave, në salla gjykimi, ambiente pune për gjyqtarët, sekretaritë dhe administratën gjyqësore. Në jo pak gjykata nuk kanë ambiente pune normale as për gjysmën e gjyqtarëve në organikë. Edhe harta e re gjyqësore nuk gjeti mbështetje me masa dhe investime afatmesme dhe afatgjata në infrastrukturë. Pa diskutuar fare se nuk ka ende një vizion dhe prognozë të studiuar e miratuar, nga KLGJ dhe KLP, se sa duhet të jetë numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe i burimeve njerëzore në gjykata në 20 vitet e ardhshme. Këto parashikime, duke konsideruar edhe faktorin ndihmës të zhvillimeve teknologjike, janë të domosdoshme për të realizuar në planin afatgjatë, por që duhet të fillojnë menjëherë përgatitjet, investimet në ndërtimin e gjykatave dhe prokurorive të reja në Tiranë dhe rrethet e tjera gjyqësore. Gjykatat dhe prokuroritë mendoj se nuk duhet të vendosen në godina multifunksionale, qoftë edhe të reja. Nuk mjafton koha për të shpjeguar përse. Zgjidhja më e mirë do të ishte që, p.sh., për Tiranën, të gjendej një terren i mjaftueshëm ku të ndërtohej një kompleks i mirëfilltë dhe modern drejtësie për gjykatat e shkallës së parë dhe të apeleve, të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ, ku të përfshiheshin dhe prokuroritë përkatëse.

Ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të kërkojmë masa dhe investime për të përqafuar më mirë dhe më shpejt zhvillimet dinamike e të pandalshme teknologjike, përfshirë inteligjencën artificiale, në veprimtarinë gjyqësore. Përveçse duhen dixhitalizuar të gjitha dosjet gjyqësore ekzistuese fizike, ka ardhur momenti të bëhet një vlerësim teknik i teknologjisë që kemi në dispozicion dhe çfarë mund ti përmirësohet shpejt, në mënyrë që të ndërmerret nisma ligjvënëse dhe të fillojnë të zbatohen sa më parë procedurat dhe veprimet për dixhitalizimin e plotë të të gjithë procesit gjyqësor në Shqipëri.

Të gjitha këto masa në burime njerëzore, infrastrukturë dhe teknologji, do ta bënin dhënien e drejtësisë më të shpejtë dhe të besueshme në të ardhmen dhe aktualisht do të ndihmonin ndjeshëm në përballjen me sfidën e jashtëzakonshme të backlog-ut, numrin tejet të madh të çështjeve në pritje për gjykim prej shumë vitesh, gjendje për të cilat gjyqtarët nuk kanë ndonjë përgjegjësi thelbësore. Rritja e Backlog-ut duhet të ndalet. Ndërsa ulja e tij sa më e shpejtë do të ndihmojë që njerëzit të marrin vendime për çështjet e tyre në kohë të arsyeshme. Ne duhet të shpjegojmë se burim i rëndësishëm i uljes së besimit publik, i reagimeve të ashpra dhe acarimit të palëve ndaj gjykatave dhe gjyqtarëve, është edhe rëndimi i ndjeshëm i ngarkesës së tyre psikologjike nga pritja e tejzgjatur për të zgjidhur çështjen në gjykata.

Për sa i përket sigurisë në gjykata. Është e tepërt në këto momente të trajtojmë pse është i domosdoshëm dhe pse ka mangësi thelbësore thuajse në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Nuk jam në gjendje të them se cila do të ishte zgjidhja më e mirë afatshkurtër dhe afatgjatë në mjete, burime njerëzore dhe institucione që duhet të përgjigjen për këtë qëllim. Nuk jam ekspert i fushës përkatëse. Por, bazuar në atë që njoh nga sisteme të tjera në perëndim, ajo që mendoj për momentin është se duhet të kemi një sistem sigurie të bazuar në rregulla dhe protokolle standarde të miratuara si në çdo vend perëndimor për gjykatat. Mbi bazën e tyre të merren masat e menjëhershme për zbatimin e tyre në ambientet që kemi aktualisht dhe më pas të materializohen në gjykatat dhe prokuroritë që do të ndërtohen në të ardhmen.

Së fundi, pak fjalë edhe për disa faktorë që përbëjnë burim për parandalimin, krijimin apo uljen e konflikteve që i parashtrohen për zgjidhje gjykatave. Është e vërtetë dhe e shkruar në Kushtetutë se për mosmarrëveshjet që lindin dhe nuk gjejnë zgjidhje mes vetë individëve ose nga institucionet, cilido i drejtohet gjykatave, të cilat kanë fjalën e fundit dhe e zgjidhin atë, duke dhënë drejtësi. Por, mendoj se gjykatat nuk janë hallka e pushtetit tek e cila hallkat e pushteteve të tjera gjejnë mjetin dhe mënyrën që ti shmangen përgjegjësive dhe detyrimeve të tyre për ti shërbyer publikut, përfshirë edhe përgjegjësitë për të ndrequr vetë gabimet e tyre, duke parandaluar apo ndërprerë edhe një numër të rëndësishëm të konflikteve që lindin, zhvillohen e zgjasin, duke vijuar edhe në dyert e gjykatave.

Shkurtimisht, së pari, kemi konflikte gjyqësore dhe probleme me zgjidhjen e tyre për shkak të cilësisë së legjislacionit, por edhe shpeshtësisë në ndryshimet e tij.

Së dyti, kemi konflikte gjyqësore dhe probleme me zgjidhjen e tyre për shkak të shkeljeve të ligjit dhe gabimeve të administratës publike, në kushtet e mangësive profesionale dhe paqëndrueshmërisë së përbërjes së administratës publike, si edhe për shkak të mungesës së përgjegjësisë dhe llogaridhënies konkrete, deri në mosreflektimin e pakuptimtë apo të papërgjegjshëm për tipologji të caktuara gabimesh dhe shkeljesh të përsëritura e permanente të ligjit, përkundrejt zgjidhjes së qëndrueshme të çështjeve nga gjykatat. Sipas ndarjes së pushteteve fjalën e fundit për mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit e kanë gjykatat. Nuk bën sens logjik dhe institucional që administrata publike të vijojë trajtimin e çështjeve dhe zbatimin e ligjit ndryshe nga praktika e konsoliduar e gjykatave. Në këtë aspekt edhe KLSH dhe auditet ligjore duhet të sjellin si gjetje dhe dëm, jo mosankimin, de facto formal, ndaj vendimeve të gjykatave, por veprimet dhe vendimet e administratës që vijnë në kundërshtim me praktikën gjyqësore.

Së fundi, mendoj se ka mungesë veprimi dhe përgjegjësie për të trajtuar problemet, shpesh të mprehta sociale dhe ekonomike, me zgjidhje konkrete e rrugë ligjore dhe institucionale, siç e parashikon ligji material e procedural. Institucionet publike dhe përgjegjësitë e tyre karakterizohen nga vazhdimësia, pa u lidhur me faktin se cili ka ushtruar detyrën në një periudhë të caktuar. Prandaj, pa ia lënë peshën vetëm gjykatave dhe gjyqtarëve, përtej parimit të mosndërhyrjes së administratës publike kur çështjen e shqyrton gjykata, kur është rasti organet publike mund dhe duhet të reflektojnë, të jenë proaktivë dhe të ofrojnë zgjidhje pajtuese, duke riparuar edhe gabimet që vetë administrata publike konstaton se janë kryer në të kaluarën dhe që zgjasin me vite si konflikte nëpër gjykata.

Kam një propozim për këtë mbledhje. Ne jemi një grup interesi. Ndaj për të ardhmen, sugjeroj të miratojmë dhe ta pasqyrojmë edhe në deklaratë krijimin e dy grupeve të punës të përhershme, të cilët, ndër të tjera, të na përfaqësojnë sa herë që është e nevojshme dhe kudo që është e nevojshme. Një grup pune për çështjet e statusit të gjyqtarëve. Grupi tjetër për çështjet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor. Përbërjen e tyre ta përcaktojë një mbledhje e afërt e drejtuesve të gjykatave, ku të sillen propozimet konkrete e mbledhjeve të gjyqtarëve të secilës gjykatë.

Top Channel