
“Pengjet do të kthehen, të hënën do të kthehen të gjithë”: Ky mesazh që presidenti i SHBA-së Donald Trump i përcolli përmes telefonit, ishte muzikë për veshët e familjarëve të pengjeve gjatë vizitës së tyre në Uashington.
“Ne besojmë se do ta përmbushni misionin, të bekuar qofshin paqebërësit“, iu përgjigj kreut të shtetit amerikan familjari i njërit prej izraelitëve që mbahen ende nga Hamasi në Gaza.
Në të dy krahët, lajmi i arritjes së armëpushimit ngjalli entuziasëm: Familjet e pengjeve izraelite hodhën fishekzjarrë, ndërsa palestinezët duartrokitën dhe brohoritën me shpresën se gjakderdhja do të ndalet.
“Shpresoj për një ndryshim real. Më në fund, kemi një marrëveshje të prekshme. Për të parën herë ndiej se vërtet mund të shohim fundin e këtij konflikti”, shprehet Ana Komhan, banore e Tel Aviv.
“Faleminderit Zotit për këtë armëpushim dhe për ndaljen e vrasjeve. Nuk jam vetëm unë i lumtur, i gjithë Rripi i Gazës është i lumtur, të gjithë njerëzit arabë, gjithë bota është e lumtur për armëpushimin dhe për fundin e gjakderdhjes”, Abdelmajid Abedrabbo, banor i Gazës.
Shpresa për paqen megjithatë, vazhdon të rrethohet nga një mosbesim i justifikuar, duke marrë parasysh se edhe më parë palët i janë afruar asaj, vetëm që më pas t`i shihnin përpjekjet e armëpushimit të shembeshin.
“Nuk na ka zënë gjumi nga gëzimi. I lutemi Zotit që këtë herë ta kenë seriozisht dhe të arrihet një pushim zjarri i përhershëm, i cili t`i japë fund luftës. Kemi vuajtur shumë, dy vjet luftë, mundime, gjenocid, shtypje, uri dhe padrejtësi. Shpresojmë që të gjitha palët të jenë serioze në qëndrimet e tyre”, thotë Umm Fadi Shunnar, banore e zhvendosur e Gazës.
Në të vërtetë, marrëveshja e shpallur nga Trumpi të mërkurën vonë dha pak hollësi dhe la shumë pyetje të hapura që mund akoma mund të bëjnë që ajo të dështojë, ashtu siç ka ndodhur me përpjekjet e mëparshme për paqe. Zbatimi i saj do të përbënte një arritje të rëndësishme në politikën e jashtme për presidentin republikan, i cili kishte premtuar të sillte paqe në konfliktet kryesore botërore, por ka hasur në vështirësi për t’i realizuar ato shpejt, si në Gazë, ashtu edhe për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Top Channel