
Një prej ekspertëve të nderuar me Nobelin e Kimisë 2025 ishte kimisti Omar Yaghi i Universitetit të Kalifornisë UC, Berkeley.
Çmimin ai e ndan me Richard Robson të Universitetit të Melburnit, Australi, dhe Susumu Kitagaëa të Universitetit të Kiotos, Japoni. Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave i njohu tre shkencëtarëve meritën e “krijimit të konstruksioneve molekulare me hapësira të mëdha përmes të cilave mund të rrjedhin gazra dhe kimikate të tjera”. Vëmendjen megjithatë, e mori në mënyrë të veçantë Yahi, dhe kjo pikërisht për rrugëtimin e rrallë që e ktheu atë nga një refugjat palestinez në një prej kimistëve më të vlerësuar të globit sot. I lindur në vitin 1965 nga prindër palestinezë që kishin emigruar drejt Amanit në Jordani, Yaghi ka udhëtuar nga fillimet modeste mbi dyqanin e kasapit të babait të tij deri në majat e shkencës botërore.
“U rrita në një shtëpi shumë të thjeshtë. Ishim një duzinë njerëzish në një dhomë të vogël, të cilën e ndanim me bagëtinë që rrisnim. Nuk kishte energji elektrike apo ujë të rrjedhshëm. Babai kishte mbaruar vetëm klasën e gjashtë, ndërsa nëna nuk dinte të shkruante e të lexonte”, shprehet Omar Yaghi, fitues i Nobelit në Kimi.
Në moshën 15 vjeçare, me këshillën e të atit, u nis i vetëm drejt SHBA-së për studime. Për të mbajtur veten, punonte paralelisht si pastrues dhe ndihmës në një supermarket. Një jetë jo e lehtë për dikë që për më shumë, njohuritë e anglishtes i kishte mjaft të dobëta. E megjithatë ndoqi kurse për anglisht, matematikë dhe shkencë në Kolegjin Komunitar Hudson Valley në Troy, u diplomua në vitin 1985 me një diplomë Bachelor në kimi me nota të shkëlqyera dhe ndoqi një doktoraturë, të cilën e përfundoi në vitin 1990 në Universitetin e Illinois në Urbana-Champaign.
Sot, hulumtimet e tij kanë frymëzuar qindra shkencëtarë dhe kanë gjeneruar mbi 250,000 citime shkencore. Por për Yaghin, kuptimi më i thellë i këtij suksesi është njerëzor: “Shkenca është forca më e madhe barazuese në botë”, deklaroi ai para Fondacionit Nobel. “Njerëz të zgjuar, të talentuar dhe të aftë ekzistojnë kudo në botë- çështja është që atyre u duhet dhënë mundësia për ta çliruar të gjithë potencialin e vet”, ishte mesazhi i tij.
Top Channel