Arritja e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, Erdogan falënderon Trumpin: Demonstroi vullnetin politik për…

09/10/2025 13:59

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka përshëndetur marrëveshjen për fazën e parë të planit të paqes për Rripin e Gazës, të shpallur së fundmi në Egjipt, duke falënderuar Katarin, Egjiptin dhe në veçanti Presidentin amerikan Donald Trump për rolin e tij në arritjen e armëpushimit.

“Dua të falënderoj Katarin dhe Egjiptin, dhe veçanërisht Trumpin, i cili demonstroi vullnetin e nevojshëm politik për të inkurajuar Izraelin të përfundojë një armëpushim”, u shpreh Erdogan në një deklaratë të raportuar nga agjencia turke e lajmeve Anadolu.

Sipas presidentit turk, Turqia do të vijojë të luajë një rol aktiv në këtë proces, duke monitoruar nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe duke ofruar mbështetjen e saj për stabilizimin e situatës në territorin palestinez.

Erdogan e ka cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt paqes, ndërsa ka theksuar se uniteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë çelësi për zgjidhjen e krizës humanitare në Gaza dhe për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Top Channel