
Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, ka tronditur thellë trupën e drejtësisë dhe opinionin publik.
Për Kryetarin e Dhomës së Avokatisë në Korçë, Nevzat Tarelli, ky akt i dhunshëm është një sinjal alarmi për gjithë sistemin gjyqësor dhe për mënyrën se si po funksionon drejtësia në vend. Sipas tij, zvarritja e gjatë e proceseve gjyqësore, mungesa e vakancave të plotësuara dhe lodhja e publikut me pritje të pafundme, kanë krijuar një klimë mosbesimi dhe tensioni.
“Sepse një drejtësi që jepet pas 30 vitesh, nuk i duhet më askujt. Personat që presin drejtësi në kohën e duhur, nëse nuk e marrin, nuk kanë më besim në drejtësi”, shprehet Nevzat Tarelli, Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Korçë.
Tarelli duke shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen dhe kolegët e gjyqtarit të ndjerë, theksoi se avokatët, në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, kanë vendosur bojkotin e proceseve gjyqësore në datat 9 dhe 10 tetor, si shenjë solidariteti dhe proteste ndaj mungesës së sigurisë në gjykata.
Tarelli kërkoi që ngjarja tragjike të shërbejë si pikë kthese për sistemin, duke apeluar për përgjegjshmëri më të madhe nga të gjitha institucionet dhe më shumë reflektim nga publiku.
Top Channel