VIDEO/ Përplasje për tregtinë dhe naftën, India portretizon Trump si demon në festivalin hindu, artistët: Kjo është mënyra jonë për të folur

08/10/2025 20:19

Në një shfaqje simbolike gjatë festivalit hindu të Durga Puja në shtetin indian të Bengalit Perëndimor, një kompozimi artistik e portretizoi presidentin amerikan Donald Trump si demonin Mahishasura, armikun mitologjik të perëndeshës Durga.

Vepra e zbuluar në qytetin Murshidabad, tërhoqi mijëra vizitorë dhe ndezi një debat të gjerë në media dhe rrjete sociale. Organizatorët thonë se kjo përfaqëson një reagim të drejtpërdrejtë ndaj tensioneve në rritje midis Indisë dhe SHBA-së, të shkaktuara nga politikat e fundit të administratës Trump.

Marrëdhëniet midis dy vendeve, dikur të afërta dhe të thelluara përmes ngjarjeve të mëdha publike si “Howdy Modi” dhe “Namaste Trump”, janë përkeqësuar ndjeshëm me rikthimin e Trump në politikë.

Udhëheqësi amerikan ka ndërmarrë hapa të ashpër kundër Indisë, përfshirë vendosjen e tarifave të larta mbi produktet indiane, kritikimin e ekonomisë indiane si “e vdekur” dhe vendosjen e një tarife prej 100 mijë dollarësh për aplikimet për vizat H-1B, të cilat prekin drejtpërdrejt profesionistët indianë që kërkojnë të punojnë në SHBA.

Ndërkohë, përplasjet mbi blerjet e naftës ruse nga ana e Indisë kanë shtuar më tej tensionin diplomatik. Administrata Trump e quajti luftën në Ukrainë si “luftën e Modit”, duke kërkuar nga India të shkëpusë lidhjet me Rusinë, një qëndrim që qeveria indiane e ka konsideruar të pabazuar dhe të padrejtë, duke theksuar hipokrizinë e vendeve perëndimore që vazhdojnë të tregtojnë me Moskën.

Pikërisht këto tensione gjetën shprehje në formën e artit publik në Bengalin Perëndimor, ku Durga Puja nuk është vetëm një festë fetare, por edhe një platformë për koment politik dhe shoqëror. Në këtë kontekst, Trump u shndërrua në figurën e demonit që përfaqëson të keqen bashkëkohore, të cilën perëndesha Durga, simbol i drejtësisë dhe fuqisë hyjnore, e mposht.

Për tre muaj me radhë, artistët dhe organizatorët punuan në fshehtësi për realizimin e skulpturës, duke ruajtur detajet e identitetit të “demonit” deri në momentin e fundit. Kur statuja u zbulua, pamja e saj, me flokët e verdhë karakteristikë dhe pamjen e dallueshme të Trump, shkaktoi reagime të forta publike dhe një interes masiv nga vizitorët.

Artisti Sanjay Basak, pjesë e komitetit organizues, tha se ky realizim është një reflektim i kulturës së protestës dhe komentit politik që ka rrënjë të thella në historinë e Bengalit. Nga lëvizjet antikoloniale deri te kritikat moderne përmes artit publik, Durga Puja është shndërruar në një arenë të gjallë të mendimit kritik.

Tani që Trump po vendos tarifa mbi tarifa, kjo është çështja e ditës,” tha ai. “Kjo është mënyra jonë për të folur.”

Statuja e Donald Trump-it si Mahishasura nuk është e para që përdor simbolikën mitologjike për të komentuar mbi politikën ndërkombëtare, figura si Osama bin Laden dhe Xi Jinping janë përshkruar në role të ngjashme në të kaluarën. Por ky rast nënvizon më thellë çarjen aktuale në marrëdhëniet SHBA-Indi dhe tregon se si arti dhe feja në Indi vazhdojnë të ndërthuren për të reflektuar realitetet bashkëkohore dhe ndjenjat popullore.

 

Top Channel