
Një juri në Los Angeles ka urdhëruar kompaninë Johnson & Johnson të paguajë 966 milionë dollarë dëmshpërblim familjes së një gruaje që vdiq nga mesotelioma, një lloj kanceri i rrallë, duke e konsideruar kompaninë përgjegjëse për shkaktimin e sëmundjes për shkak të produkteve të saj me bazë talkun.
Mae Moore, një banore e Kalifornisë që ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare në vitin 2021, kishte paditur J&J po atë vit, duke pretenduar se pluhuri i talkut për fëmijë i kompanisë përmbante fibra azbesti që shkaktuan kancerin e saj. Juria vendosi të hënën që kompania të paguajë 16 milionë dollarë dëmshpërblim kompensues dhe 950 milionë dollarë dëmshpërblim ndëshkues.
Verdikti mund të reduktohet në apel, pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur që dëmshpërblimet ndëshkuese zakonisht nuk duhet të jenë më shumë se nëntë herë sa dëmshpërblimet kompensuese.
Erik Haas, nënkryetar i Johnson & Johnson për çështjet ligjore, deklaroi se kompania do të apelojë menjëherë, duke cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe jokushtetues”.
“Avokatët e paditëses në këtë rast mbështetën argumentet e tyre në ‘shkencë të pavërtetë’ që nuk duhej të paraqitej para jurisë,” tha Haas.
Johnson & Johnson ka theksuar vazhdimisht se produktet e saj janë të sigurta, nuk përmbajnë azbest dhe nuk shkaktojnë kancer. Kompania ndaloi shitjen e pluhurit të bazuar në talc në SHBA në vitin 2020, duke kaluar në përdorimin e produkteve me bazë misri. Mesotelioma lidhet ngushtë me ekspozimin ndaj azbestit.
Trey Branham, një nga avokatët që përfaqëson familjen Moore, tha pas vendimit se shpreson që Johnson & Johnson të pranojë përgjegjësinë për këto vdekje të panevojshme.
Johnson & Johnson përballet me më shumë se 67,000 padi nga persona që pretendojnë se janë diagnostikuar me kancer pas përdorimit të pluhurit për fëmijë dhe produkteve të tjera me talc. Numri i rasteve të mesoteliomës është vetëm një pjesë e vogël e tyre, ndërsa shumica e padive kanë të bëjnë me kancerin e vezoreve.
Kompania ka tentuar të zgjidhë këto çështje ligjore përmes falimentimit, por propozimi i saj është refuzuar tre herë nga gjykatat federale.
Paditë për mesoteliomë nuk ishin pjesë e propozimit të fundit të falimentimit. Disa nga këto raste janë zgjidhur me marrëveshje, por nuk ka një marrëveshje kombëtare dhe shumë prej tyre vazhdojnë të trajtohen në gjykata shtetërore.
Gjatë vitit të fundit, Johnson & Johnson ka pësuar disa dënime të mëdha për rastet e mesoteliomës, por ky vendim i fundit është ndër më të mëdhatë. Megjithatë, kompania ka fituar disa procese, siç ndodhi javën e kaluar në Karolinën e Jugut, ku juria e shpalli atë jo përgjegjëse.
Top Channel