
Një “trekëndësh dashurie” i dyshuar që përfshin dy oficerë që kishin rënë në dashuri me të njëjtën grua është shndërruar në një masakër në Sudanin e Jugut, me 14 persona të vrarë në një shkëmbim zjarri, tha ushtria e Sudanit të Jugut.
Sudani i Jugut, shteti më i ri në botë, ka luftuar me paqëndrueshmëri dhe nivele të larta varfërie për vite me radhë, pavarësisht eksplorimit të naftës në territorin e tij.
Aktakuza e ngritur më 11 shtator ndaj zëvendëspresidentit Riek Machar, e ndjekur nga largimi i tij disa orë më vonë me dekret presidencial, nxit frikën e një lufte të re, pothuajse shtatë vjet pas përfundimit të një konflikti të përgjakshëm midis mbështetësve të tij dhe atyre të Presidentit Salva Kiir, i cili rezultoi në të paktën 400,000 vdekje midis viteve 2013 dhe 2018.
Elementë të dy kampeve u përzien më pas në radhët e disa njësive, të tilla si Forcat e Përbashkëta të Mbrojtjes VIP, të cilat aktualisht janë të vendosura në kufirin e rajonit Abyei (veri), një zonë e pretenduar nga Sudani dhe Sudani i Jugut.
Të hënën, dy ushtarë nga kjo njësi, njëri pro-Makar, tjetri pro-Kir, u grindën, me të parin që qëlloi të dytin përpara se të qëllohej për vdekje nga rojet. Dhuna u përhap midis shokëve të tyre.
Në total, dy protagonistët kryesorë vdiqën, si dhe 12 ushtarë të tjerë, ndërsa pesë ushtarë u plagosën, tha sot gjeneralmajor Lul Ruai Koang, zëdhënës i ushtrisë së Sudanit të Jugut, gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin Juba.
“Mund të konfirmoj se incidenti nuk ishte i motivuar politikisht”, theksoi oficeri.
“Një trekëndësh dashurie duket të jetë shkaku”, vazhdoi ai, duke shtuar se një hetim është duke u zhvilluar. “Të dy burrat ishin të përfshirë (…), me sa duket, në një marrëdhënie seksuale me të njëjtën grua”, shtoi ai.
Një hipotezë tjetër do të ishte “një mosmarrëveshje” midis këtyre dy burrave, shtoi ai.
Top Channel