
Procedohet penalisht një 51-vjeçar, i cili tentoi të nxirrte nga Shqipëria, 20 530 euro dhe 1 800 000 lekë, pa i deklaruar.
Paratë, të cilat u sekuestruan, u gjetën në çantën e shtetasit me iniciale F.S., banues në Greqi.
Njoftimi:
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit F. S., ku u gjetën 20 530 euro dhe 1 800 000 lekë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin F. S., 51 vjeç, banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel