Sulmi në sinagogën e Mançesterit, autori pretendoi besnikëri ndaj Shtetit Islamik

08/10/2025 19:12

Burri që sulmoi një sinagogë në Mançester javën e kaluar, duke vrarë dy besimtarë hebrenj, kishte telefonuar policinë për të deklaruar se po vepronte në emër të Shtetit Islamik, bëri të ditur sot shërbimi kundër terrorizmit.

Jihad Al Shami, 35 vjeç, një shtetas britanik me origjinë siriane, telefonoi policinë pasi drejtoi makinën e tij drejt këmbësorëve dhe sulmoi kalimtarët me thikë jashtë sinagogës Heaton Park në lagjen Crumpsall, sipas burimeve mediatike që citojnë policinë.

Policë të armatosur qëlluan dhe vranë Al Shamin në vendngjarje. Më vonë u zbulua se oficerët kishin vrarë aksidentalisht edhe një nga viktimat.

Një zëdhënës i Policisë Kundër Terrorizmit të Veriperëndimit deklaroi se gjatë fazës fillestare të sulmit, Al Shami kishte thirrur oficerët dhe kishte shprehur besnikëri ndaj Shtetit Islamik.

Javën e kaluar, kreu i Policisë Kundër Terrorizmit, Lawrence Taylor, tha se autoritetet besonin se Al Shami mund të ishte ndikuar nga ideologjia ekstremiste islamike, por se do të duhej kohë për të përcaktuar të gjitha detajet.

Autori i krimit nuk ishte i njohur më parë për shërbimet antiterror, megjithëse kishte precedent penal dhe ishte arrestuar së fundmi për akuza për përdhunim, por ishte liruar me kusht, shtoi Taylor.

Dy burra në gjyq për planifikim sulmi ndaj komunitetit hebre

Ndërkohë, sot filloi gjyqi i dy burrave që prokurorët thonë se po planifikonin një sulm të frymëzuar nga Shteti Islamik ndaj komunitetit hebre në veriperëndim të Anglisë, me qëllim “vrasjen e qindra njerëzve të pafajshëm”.

Walid Saadawi, 38 vjeç, dhe Ammar Hussein, 52 vjeç, akuzohen për planifikimin e akteve terroriste, ndërsa vëllaii Walid Saadawi, Bilel Saadawi, 36 vjeç, akuzohet për fshehjen e informacionit në lidhje me aktet terroriste. Të tre janë deklaruar të pafajshëm.

Gjykatësi Mark Wall i tha jurisë se kjo çështje nuk kishte asnjë lidhje me sulmin vdekjeprurës në sinagogën e Mançesterit dhe se koha e gjyqit ishte thjesht rastësi.

Prokurorët thanë se të pandehurit e parë “kanë përqafuar pikëpamjet e të ashtuquajturit Shtet Islamik (…) dhe ishin të përgatitur të rrezikonin jetën e tyre” për t’u bërë “dëshmorë”. Kur u arrestua në maj 2024, Walid Saadawi kishte organizuar futjen kontrabandë në Britani të dy pushkëve sulmuese, një pistolete automatike dhe municionit, me tre armë të tjera që do t’i dorëzoheshin më vonë, sipas prokurorit Harpit Sandu.

Pushkët, të cilat ishin “të afta të shkaktonin dëme të pallogaritshme”, ishin të ngjashme me ato të përdorura në sulmet e vitit 2015 në Paris, ku u vranë 130 persona, shtoi Sandu.

I pandehuri tjetër, Ammar Hussein, ndërpreu prokurorin duke bërtitur: “Sa foshnje?”

Sipas Sandu, plani i dy të pandehurve ishte “të gjenin një grup hebrenjsh që mund t’i sulmonin”, së bashku me një burrë të tretë, që ata besonin se quhej ‘Farooq’. “Përveç kësaj, ata kishin ndërmend të vrisnin çdo oficer policie që do t’u dilte përpara”, shtoi ai.

Walid Saadawi dhe Ammar Hussein u arrestuan pasi “Farouku”, për të cilin besonin se dëshironte të vriste qindra njerëz të pafajshëm si ata, rezultoi të ishte një oficer policie i infiltruar.

Bilel Saadawi nuk kishte për të marrë pjesë drejtpërdrejt në sulm, por ndante pikëpamjet e Shtetit Islamik. Vëllai i tij, Walidi, i kishte dhënë para për t’u kujdesur për familjen pas vdekjes së tij.

Top Channel