Skandal te Napoli, klubi nën hetim për mashtrim financiar në blerjen e Osimhen / Publikohen përgjimet, Prokuroria kërkon gjykim për De Laurentiis

08/10/2025 10:30

Seanca e parë paraprake në lidhje me çështjen e fitimeve kapitale të klubit të Napolit u shty të premten e kaluar, ndërsa Prokuroria e Romës ka kërkuar që presidenti i klubit, Aurelio De Laurentiis, të dalë në gjyq nën akuzën e kontabilitetit të rremë.

Ndërkohë, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka vendosur të mbyllë këtë rast në aspektin sportiv.

Në fokus të hetimeve është transferimi i sulmuesit nigerian Victor Osimhen nga Lille te Napoli në vitin 2020, një marrëveshje e përfolur prej kohësh për çmimin e saj të lartë – 70 milionë euro – dhe për mënyrën se si kjo shumë u justifikua në letra.

Gazeta La Repubblica ka rindërtuar marrëveshjen, që sipas saj përfshin edhe blerjen e Kostas Manolas nga Roma në vitin 2019. Blerja e Osimhen nga Lille u shoqërua me shitjen e katër lojtarëve nga Napoli te Lille, për një vlerë të deklaruar prej 20 milionë eurosh: portieri Orestis Karnezis dhe tre lojtarë të rinj – Luigi Liguori, Claudio Manzi dhe Ciro Palmieri.

Sipas dokumenteve të zbuluara nga Guardia di Finanza, Napoli kishte vendosur një tavan shpenzimesh prej 50 milionë eurosh për blerjen, por presidenti i Lille, Gerard Lopez, kërkonte 70 milionë euro.

Në një email të cituar nga prokurorët si provë kyçe, Lopez shkruan: “Kjo ju lejon të paguani një çmim më të ulët se çdo klub tjetër, por me vlerën nominale të nevojshme për të mbyllur marrëveshjen.”

Opsione të tjerë për të balancuar marrëveshjen, si Fernando Llorente, Leandrinho apo Adam Ounas, u diskutuan, por nuk u përfshinë në fund. Ndërkohë, tre të rinjtë e përfshirë në marrëveshje – Liguori, Manzi dhe Palmieri – kanë deklaruar për hetuesit se nuk kanë qenë kurrë në Francë, nuk kanë bërë teste mjekësore dhe nuk janë stërvitur me ekipin e Lille.

Në një komunikim të zbuluar nga përgjimet telefonike, Lopez i shkruan për Karnezis: “Do ta sjellim Karnezisin te Lille për 20 milionë euro. Është e rëndësishme që të mos ketë komunikim për çmimin – do të na bënte të gjithëve të dukeshim keq.”

Ndërsa zëvendësdrejtori sportiv i Napolit, Giuseppe Pompilio, i shkruante Giuntolit: “Nuk ke pse të shkruash asgjë. Emailet nuk do të lënë gjurmë. Mund të bësh çfarë të duash gojarisht.”

Karnezis u vlerësua në fund me 5 milionë euro, ndërsa tre të rinjtë bashkërisht me 19 milionë euro – vlera që hetuesit i konsiderojnë të fryra në mënyrë të qëllimshme për të mbuluar vlerën reale të Osimhen.

Sipas Prokurorisë: “Ndërtimi i këtyre vlerave synonte të arrinte shumën nominale prej 70 milionë eurosh, si kompensim për Osimhen, të kërkuar nga presidenti i Lille.”

Tashmë mbetet për t’u parë nëse gjykata do të pranojë kërkesën për gjykim ndaj De Laurentiis dhe nëse kjo çështje do të ketë pasoja për klubin napolitan në aspektin juridik apo financiar.

Top Channel