SHBA dërgon luftanije në Venezuelë me pretekstin e luftës ndaj karteleve, a po kërkon Trump të rrezojë nga pushteti Maduron?

08/10/2025 07:51

Justifikimi ligjor i qeverisë amerikane për vendosjen e anijeve luftarake në Detin e Karaibeve për të synuar trafikantët e drogës me bazë në Venezuelë ka ngritur shqetësime se Uashingtoni nuk do të ndalet këtu, por do të kërkojë të rrëzojë presidentin venezuelian, Nicolas Maduro.

SHBA-të janë të angazhuara në një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një memo të dërguar Kongresit javën e kaluar.

Letra kishte për qëllim të ofronte justifikim ligjor për sulmet e nisura nga ushtria amerikane kundër motoskafeve që transportonin të dyshuar si trafikantë droge. Të paktën 21 persona janë vrarë deri më tani.

Por ligjshmëria e këtyre operacioneve ushtarake, në ujëra të huaja ose ndërkombëtare, kundër të dyshuarve që nuk janë arrestuar ose marrë në pyetje, ka qenë objekt polemikash.

Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump ka hartuar një mendim ligjor se është e ligjshme që ushtria amerikane të kryejë sulme vdekjeprurëse, raportoi CNN këtë javë, ndërsa i njëjti burim tha se Presidenti Trump ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione në rajon duke përdorur forcë vdekjeprurëse.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së Pam Bondi, e cila u paraqit para Kongresit të SHBA-së dje, shmangu konfirmimin e këtij informacioni.

“Ajo që mund t’ju them është se Maduro është një narko-terrorist”, tha Bondi, duke kujtuar se departamenti i saj po ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e tij. “Ai është ndjekur penalisht në vendin tonë”, shtoi ajo.

Trump “ka humbur durimin”

Uashingtoni pretendon se presidenti venezuelian është kreu i një rrjeti të madh trafikimi droge të destinuar për tregun amerikan.

Caracas e mohon kategorikisht pretendimin dhe akuzon qeverinë amerikane se po kërkon një pretekst për të kryer “ndryshim regjimi” dhe për të sekuestruar rezervat e naftës së vendit latino-amerikan, të cilat janë ndër më të mëdhatë në botë.

Evan Ellis, një studiues në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, beson se është e mundur që Uashingtoni të përpiqet ta “sjellë Maduron para drejtësisë”.

Përballë vendosjes së një armate anijesh luftarake dhe avionësh luftarakë të teknologjisë së fundit në rajon, Caracas ka kryer ushtrime ushtarake dhe ka mobilizuar një forcë rezervë.

“Kam ndjesinë se Presidenti Trump e ka humbur durimin”, komentoi Ellis, i cili ka punuar në administratë gjatë mandatit të parë të manjatit republikan.

Nicolas Maduro i dërgoi një letër presidentit amerikan duke kërkuar që dialogu midis dy vendeve të vazhdojë.

Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë ofertën.

“Status i paligjshëm”

A do të shtyjë Presidenti Trump për ndryshimin e regjimit në vendin ku opozita pretendoi fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe këmbëngul se rizgjedhja e Presidentit Maduro, të cilën Uashingtoni dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare nuk e njohën, ishte mashtruese?

“Nuk po flasim për këtë, por po flasim për faktin se atje pati zgjedhje që ishin shumë të çuditshme, për ta thënë butë”, tha një zyrtar në Shtëpinë e Bardhë dje.

“Mund të them se miliarda dollarë nga droga po vërshojnë vendin tonë nga Venezuela. Venezuela është një aktor shumë i keq”, shtoi Donald Trump.

Frank Mora, një ish-zëvendëssekretar i mbrojtjes gjatë mandatit të parë të ish-Presidentit Demokrat Barack Obama, nuk përjashton sulmet e SHBA-së edhe në tokën venezueliane kundër trafikantëve.

“Vendosja e një flote anijesh luftarake për të mos bërë asgjë, ose thjesht për të shkatërruar disa anije jashtë bordit… Nuk mendoj se presidenti Trump dhe administrata e tij kanë këtë në mendje”, i tha ai AFP-së.

“Presidenti thotë se dëshiron të çmontojë trafikun e drogës”, por “në të njëjtën kohë shpresa e tij është që kjo të çojë në rrëzimin e regjimit”, shtoi ai.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, nuk pranoi të jepte detaje rreth planeve të administratës, por theksoi dje se është “transparente dhe e qartë në lidhje me vizionin ndaj regjimit të paligjshëm të Maduros”.

Megjithatë, Evan Ellis beson se nuk është e pamundur që Presidenti Trump “të mund të bëjë një marrëveshje që e kënaq atë dhe të kalojë në diçka tjetër”.

Top Channel