
Si pjesë e negociatave me Izraelin mbi listën e të burgosurve palestinezë që do të lihen të lirë në këmbim të pengjeve që mbeten në Rripin e Gazës, Hamasi ka kërkuar lirimin e Marwan Barghoutit, që njihet ndryshe si Mandela i Palestinës. Barghouti, një ish-zyrtar i Fatahut, u arrestua nga autoritetet izraelite në vitin 2002 dhe u dënua në 2004 me pesë burgime të përjetshme për vrasje të lidhura me rolin e tij në Intifadën e dytë.
Ai konsiderohet një figurë jashtëzakonisht popullore e rezistencës palestineze. Bisedime indirekte kanë filluar që nga e hëna në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheikh mbi planin e paqes të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili përfshin një armëpushim në Rripin e Gazës, kthimin e pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor 2023, një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga enklava palestineze dhe çarmatimin e Hamasit.
Dy burime pranë ekipit negociator të militantëve palestinezë thanë për AFP se fryma e negociatave ka qenë përgjithesisht pozitive, ndërsa raundi i parë zgjati rreth katër orë. Të njëjtën gjë raportoi më herët edhe media e lidhur me shtetin egjiptian, Al-Qahera News. Izraeli dhe Hamasi i kanë pranuar parimet kryesore të planit të Trump, që synon ndaljen e luftës.
Plani po ashtu mbështetet nga shtetet myslimane dhe perëndimore. Trump ka kërkuar që negociatat të mbahen shpejt për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Uashingtoni thotë se palët nuk kanë qenë asnjëherë më afër arritjes së ndërprerjeje të luftimeve.
Top Channel