
Mbyllja e rrufeshme e konfliktit në Ukrainë ishte një nga premtimet kryesore të tij gjatë fushatës elektorale, e kësaj ideje i mëshoi edhe pasi arriti të siguronte mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, tani presidenti amerikan Donald Trump e pohoi se zgjidhja për luftën e nisur nga Rusia kundër vendit të saj fqinjë, ka rezultuar më e vështirë sesa eehe vetë arritja e paqes në Lindjen e Mesme. Trump i bëri këto komente në një takim me kryeministrin kanadez Mark Carney, gjatë të cilit kujtoi sesi ka mundur të vulosë shtatë marrëveshje të shkëlqyera dhe ka propozuar gjithashtu edhe një plan paqeje për Gazën që deri tani, duket të jetë pranuar nga palët. Kur u ndal tek lufta e Ukrainës, republikani përsëriti komentet e tij të mëparshme në lidhje me shumë viktima dhe e quajti situatën “të çmendur”.
“Mendova se do të kishte qenë një nga më të lehtat. Shkoj shumë mirë me Putinin dhe thashë se do të kishte qenë e lehtë. Jam shumë i zhgënjyer me të sepse mendova se kjo do të kishte qenë e lehtë për t’u zgjidhur, por doli të ishte ndoshta më e vështirë se Lindja e Mesme.”, shprehet Trump.
Pak ditë më parë, zv/presidenti amerikan, JD Vance, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i kanë bërë jehonë qasjes së re, më të ashpër, të Trump kundër Rusisë, duke e akuzuar Moskën se nuk po bën mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë. Vance tha se Trumpi “mendon se ata nuk po bëjnë mjaftueshëm në tavolinën e bisedime për t’i dhënë fund luftës… Nëse rusët nuk pranojnë të bisedojnë me mirëbesim, mendoj se do të jetë shumë, shumë keq për vendin e tyre”, ishte komenti i tij.
Top Channel