Leao bëhet “tabelë qitjeje” te Milani, mesfushori dhe Allegri kritikojnë portugezin: I mungon dëshira që ka Modric, 26 vjeç nuk je më i ri

08/10/2025 13:42

Adrien Rabiot ka pasur një ndikim të menjëhershëm në Milan pas transferimit nga Marseille në ditët e fundit të merkatos.

Mesfushori francez, i cili u kërkua me ngulm nga Massimiliano Allegri — trajneri që e kishte edhe te Juventusi — është tashmë titullar i padiskutueshëm në mesin e fushës ku ka sjellë fizikalitet, përvojë dhe lidership.

“Të vish fanellën e Milanit pas 5 viteve te Juventusi nuk është pak”, tha Rabiot në një intervistë për Gazzetta dello Sport. “Kemi cilësinë për të luftuar për Scudetton. Allegri më donte sepse e di që mund të ndihmoj të rinjtë me përvojën time, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje.”

Rabiot, i njohur për natyrën e tij të drejtpërdrejtë, nuk ngurroi të bëjë një krahasim mes modelit të disiplinës — Luka Modric — dhe shokut të tij të ekipit, Rafael Leao: “Modric është një frymëzim. Ka pasion të jashtëzakonshëm, stërvitet fort dhe luan me dëshirë edhe në moshën 40 vjeç. Kjo është ajo që i mungon Leao-s. Ai ka talent të madh, por në moshën 26-vjeçare nuk është më ‘i ri’. Duhet të vendosë nëse dëshiron të bëhet i madh, apo do të mjaftohet me atë që është.”

Sipas burimeve nga brenda klubit, pas ndeshjes së fundit ndaj Juventusit, ka pasur një moment tensioni në dhomën e zhveshjes. Allegri, i zemëruar me qasjen e Leao-s gjatë ndeshjes, ndërhyri ashpër para gjithë skuadrës: “Tani askush të mos flasë. Leao, dua të jesh më i përqendruar! Jo vetëm në sulm, por edhe në detyrat që të kërkoj!”, thuhet të ketë thënë tekniku italian.

Sipas raportimeve, nuk ishte një përplasje personale, por një lëvizje e qëllimshme për të ‘tronditur’ sulmuesin portugez, i cili së fundmi ka qenë në shënjestër të kritikave për mungesë intensiteti.

Top Channel