“Kërkoni ndjesë publike”/ Emri i Enver Hoxhës në email-et e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj akuzon PS: Në grupin tuaj ka hetues të komunizmit

08/10/2025 10:05

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një email deputetëve pak ditë më parë, ku ka përfshirë edhe një listë me personalitetet e vendit që kanë lindur në muajin tetor dhe që duhen nderuar.

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj akuzoi deputetët e Partisë Socialiste, se në në grupin parlamentar të PS ka hetues të komunizmit, duke thënë: “Zoti Kryetar, një ngjarje e rëndë ka ndodhur këto ditë dhe ju nuk keni një qëndrim!

Duket patetike të kujtoj se Enver Hoxha ishte tiran dhe sistemi i tij politik – tirani.

Futja e tij në analet e Kuvendit të Shqipërisë është një fyerje dhe provokim ndaj martirëve, heronjve, të përsekutuarve, të gjithë atyre që kanë zgjedhur lirinë ndaj tiranisë, ndaj ndjenjës fisnike të shqiptarëve për të falur, por jo për të harruar.

Ky nuk është një lapsus, z. Peleshi, ju duhet të distancoheni, duhet të kërkoni ndjesë publike – nëse jo, kjo është dëshmi që ky është qëndrimi juaj politik, pohim i mendësisë diktatoriale.

Unë e kuptoj që PS ka dalë nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës dhe lidhjet tuaja me të shkuarën janë biologjike, afektive. Nuk keni pasur kurrë kurajon të dënonit të shkuarën, të distancoheni. Ju, në mesin tuaj, keni hetues të diktaturës – e nuk e kam fjalën vetëm për mbështetësit, por për individë politikë me përgjegjësi institucionale. Pra, pranojeni se fantazma e stalinoçit shqiptar është krenaria juaj.

Kjo nuk duhet të ndodhë më, zoti Kryetar – distancohuni ose mbajeni pa nder këtë turp në kurrizin tuaj të brishtë!”.

Top Channel