
Iris Stalzer, kryebashkiakja e sapozgjedhur e qytetit Herdecke në Gjermani, po lufton për jetën pasi u sulmua me thikë në banesën e saj, në rrethana ende të paqarta.
E plagosur rëndë me 13 goditje me thikë në shpinë dhe bark, Stalzer u gjet në kolltuk, e mbuluar me gjak, pas një grindjeje të ashpër që u dëgjua nga fqinjët.
Fqinjët dëshmuan se kishin dëgjuar britma të forta nga shtëpia e saj, vetëm pak para se një helikopter i shpëtimit të ulej pranë zonës për ta transportuar politikane në spital.
Sipas burimeve nga policia dhe raportimeve të mediave gjermane si Bild, Westfalenpost dhe Der Spiegel, dyshohet se autorja e mundshme e sulmit është vajza 17-vjeçare e adoptuar e Stalzer. Mediat raportojnë se vajza kishte qenë më parë e përfshirë në një tjetër incident dhune në familje gjatë verës, ku dyshohet se gjithashtu kishte përdorur një thikë ndaj nënës së saj.
Në momentin e ngjarjes, në shtëpi ndodheshin edhe djali i saj i adoptuar 15-vjeçar. Fillimisht, djali telefonoi shërbimet e emergjencës duke pretenduar se nëna e tyre ishte sulmuar nga disa burra në rrugë, por kjo deklaratë u hodh poshtë nga deklaratat e fqinjëve dhe dëshmitë e para.
Top Channel