Alarm në industrinë gjermane, Bild: Rënie drastike e prodhimit, kolaps në sektorin e automobilave dhe paralajmërime për një dimër të vështirë

08/10/2025 14:16

Gjermania po përjeton një nga goditjet më të rënda ekonomike të viteve të fundit.

Sipas një analize të publikuar nga BILD, të dhënat më të fundit nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se prodhimi industrial ra me 4.3% në gusht, rënia më e madhe që prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt 2022.

Rënia shënon një tronditje të re për ekonominë më të madhe të Europës, teksa ekonomistët kishin parashikuar një tkurrje më të moderuar prej vetëm 1%. Industria, ndërtimi dhe sektori energjetik po përballen me probleme serioze, të cilat kanë rikthyer frikën për një recesion të zgjatur.

“Kjo është një tjetër goditje e rëndë për ekonominë gjermane”, deklaroi analisti Jens-Oliver Niklasch nga LBBW. “Në vend të një vjeshte reformash, po afrohet një dimër i pakënaqësisë.”

Një nga sektorët më të prekur është industria e automobilave, e cila shënoi një rënie dramatike të prodhimit prej 18.5% në gusht. Kryeekonomisti i Commerzbank, Jörg Krämer, e lidh këtë me pushimet sezonale të fabrikave, por paralajmëron se prodhimi industrial ka stagnuar për një vit dhe nuk pritet rikuperim i shpejtë pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga shteti.

Sipas Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), sektori industrial po bie në nivelin më të ulët që prej pandemisë. Shkaktarët kryesorë janë kostot e larta të energjisë dhe punës, barra tatimore dhe burokracia. Për më tepër, porositë e reja, si vendase ashtu edhe ndërkombëtare, janë në rënie të vazhdueshme.

Ministria Federale e Ekonomisë parashikon që ekonomia gjermane do të rritet me vetëm 0.2% në vitin 2025, ndërsa një rimëkëmbje e lehtë pritet vetëm në vitin 2026. Parashikimi zyrtar i qeverisë, që do të prezantohet nga ministrja Katherina Reiche, synon një rritje prej 1.3% në 2026 dhe 1.4% në 2027, falë investimeve të planifikuara nga qeveria.

Sipas Shoqatës së Bankave Gjermane (BdB), paketa e stimujve ekonomikë nga koalicioni qeverisës mund të gjenerojë mbi gjysmën e rritjes së pritshme për vitin 2026. Investimet e financuara nga borxhi pritet të japin një kontribut prej 0.8 pikë përqindje në rritjen ekonomike.

Edhe pse disa ekonomistë si Sebastian Dullien nga instituti IMK sugjerojnë se situata nuk është aq katastrofike sa duken shifrat, ai thekson se korniza ndërkombëtare e ekonomisë ka ndryshuar rrënjësisht dhe kthimi në nivelet e para-pandemisë do të jetë i vështirë.

Tregues të tjerë alarmues

Industria prodhuese ra me 5.6% në gusht;

Porositë e reja kanë rënë për të katërtin muaj radhazi (-0.8%);

Prodhimi i energjisë ra me 0.5%, ndërsa ndërtimi shënoi një rritje modeste prej 0.6%.

Gjermania ndodhet në një moment kritik ekonomik. Kriza industriale, sidomos në sektorët strategjikë, po thellohet, dhe rikuperimi mbetet i lidhur ngushtë me ndërhyrjen e qeverisë dhe përmirësimin e klimës globale ekonomike.

Top Channel