Agonia e pritjes në Parisin zyrtar, a do ta shmangë Macron dorëheqjen me një qeveri të re socialiste?

08/10/2025 17:02

Pritjet në Francë janë të larta ditën e sotme pasi populli francez pret për njoftimin e Ish-Kryeministrit, Sébastien Lecornu, i cili do të japi një deklaratë në orën 20:00 për të zbuluar nëse 48 orët e fundit të negociatave të kërkuara nga Presidenti Emmanuel Macron kanë sjellë një zgjidhje, apo nëse Franca do të vazhdojë të mbetet pa qeveri.

Në pritje të këtij afati, Lecornu foli për herë të parë mëngjesin e sotëm, përpara nisjes së një vale të re konsultimesh intensive, dhe disi të dëshpëruara, veçanërisht me partitë e majta, përjashtuar krahun radikal të Jean-Luc Mélenchon.

Ish-kryeministri përmendi një “lajm të mirë”, që të gjitha forcat politike kanë treguar vullnet për të pasur një buxhet të miratuar para 31 dhjetorit, një konvergjencë që largon përkohësisht mundësinë e shpërbërjes së Asamblesë Kombëtare dhe thirrjes për zgjedhje të parakohshme.

Pas kësaj deklarate, një delegacion nga Partia Socialiste, i udhëhequr nga sekretari Olivier Faure, mbërriti në Matignon për t’u takuar me Lecornu. Në përfundim të takimit, Faure theksoi se socialistët nuk kërkojnë dorëheqjen e Macron, as zgjedhje të reja, por një “ndryshim rrënjësor të kursit”.

Ata propozojnë emërimin e një kryeministri të majtë që do të mund të bashkojë spektrin republikan për të miratuar ligjin e buxhetit deri në fund të vitit, një hap thelbësor për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës financiare të vendit, i cili përballet me një borxh publik prej 3.4 trilionë eurosh.

Kushti kryesor i socialistëve për të marrë pjesë në qeverisje është pezullimi i reformës së pensioneve, një reformë e iniciuar nga ish-kryeministrja Elisabeth Borne dhe shumë e kontestuar publikisht. Sipas Faure, nuk mjafton vetëm një “ngrirje” e përkohshme e saj, por kërkohet pezullim real dhe i garantuar. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për “tallje” në këtë drejtim do të dështojë. “Garancia më e mirë që kjo reformë të ndalet është përfshirja e së majtës dhe ekologjistëve në pushtet”, u shpreh ai.

Megjithatë, krijimi i një qeverie të majtë nuk është i thjeshtë. Faure ka bërë të qartë se socialistët nuk do të bashkëpunojnë me makronistët, gjë që e bën edhe më të vështirë formimin e një shumice. Socialistët kanë vetëm rreth 60 deputetë, shumë pak për të garantuar mbijetesën e një qeverie në votimin parlamentar.

Nga ana tjetër, partitë ekstreme, Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme dhe Franca e Paepur e së majtës radikale, kanë deklaruar se do të votojnë për rrëzimin e çdo qeverie që formohet, duke kërkuar hapur zgjedhje të parakohshme dhe madje duke parë drejt zgjedhjeve presidenciale si skenar i dëshiruar.

Në këtë situatë të ndërlikuar, edhe Republikanët e qendrës së djathtë shfaqen të ndarë, disa deputetë janë të hapur ndaj dialogut me socialistët, por udhëheqësi i tyre, Bruno Retailleau, ka përsëritur një “vijë të kuqe” të qartë ku çdo qeveri që preket reformën e pensioneve, nuk do të ketë mbështetjen e tyre.

Situata politike është tashmë “surreale”, edhe ata që dëshirojnë të shmangin zgjedhjet e reja dhe duan një qeveri që të paktën miraton buxhetin, po vendosin kushte që praktikisht e bëjnë këtë të pamundur.

Për këtë arsye, pritjet janë të mëdha për atë që do të shpallë sonte Lecornu. Megjithatë, ai vetë përballet me një humbje të ndjeshme të besueshmërisë, pasi qeveria që u shpall të dielën në mbrëmje, u shpërbë të hënën në mëngjes, një sinjal i qartë i krizës së thellë politike që po kalon Franca.

Top Channel