Trump shpresëplotë, Presidenti: Ka gjasa reale për një marrëveshje paqeje në Gazë

07/10/2025 19:37

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka “gjasa reale” që të arrihet një marrëveshje e paqes në Gazë, teksa negociatorët nga Izraeli dhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, mbajtën bisedime indirekte në përvjetorin e dytë të luftës.

“Ne jemi afër që të arrijmë një marrëveshje në Lindjen e Mesme që do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale teksa u takua me kryeministrin kanadez, Mark Carney.

Trump tha se negociatorët amerikanë janë përfshirë në bisedimet që po mbahen në Egjipt.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndëri i presidentit, Jared Kushner do të luajnë rol në këto bisedime.

“Ka gjasa reale që ne mund të bëjmë diçka”, tha Trump.

“Mendoj se ekziston mundësia që ne të mund të kemi paqe në Lindjen e Mesme. Kjo madje shkon përtej situatës në Gazë. Ne duam lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Ekipet tona janë atje dhe pothuajse çdo shtet në botë ka mbështetur planin”, shtoi ai.

Udhëheqësi amerikan tha po ashtu se shteti i tij “do të bëjë gjithçka që mundet që të sigurohet që të gjithë ta respektojnë marrëveshjen” nëse Hamasi dhe Izraeli pajtohen që të arrijnë një armëpushim për t’i dhënë fund luftës.

Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump paraqiti një plan me 20 pika që kërkon armëpushim, lirimin e të gjithë pengjeve, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të Izraelit nga Gaza.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë./REL

Top Channel