Shqipëria hyn në SEPA/ Nga sot, komisione më të ulëta dhe dërgesa më të shpejta bankare

07/10/2025 20:20

Të gjitha transfertat për jashtë vendit si edhe paratë që mbërrijnë në Shqipëri në rrugë zyrtare, nga ky 7 tetor do të jenë me komisione shumë herë më të ulëta edhe më të shpejta.

Kjo falë përfshirjes së Shqipërisë në zonën unike të pagesave në euro, SEPA. Në konferencën e lancimit të transaksionit të parë të Shqipërisë në SEPA guvernatori dha detaje ne lidhje me procesin dhe përfitimet ekonomike për të gjithë qytetarët.

“Integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një rritje prej 10% e pagesave digjitale sjell ulje me 2% të nivelit të informalitetit. Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në dhjetëra miliona euro në vit falë dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare të SEPA-s. Në planin rajonal, deri sot, dërgimi i parave midis bizneseve në Ballkanin Perëndimor ka kushtuar deri në 10 herë më shumë se brenda BE-së. Me SEPA-n, kjo kosto bie në nivele të përafërta me ato evropiane”, tha Gent Sejko-guvernator i BSH.

Një hap të tillë ambasadori i BE në Shqipëri Silvio Gonzato e cilëson si mbajtje të premtimeve të BE. Ndërsa një kërkesë drejtoi për thellimin e reformave në anëtarësim.

“Çdo qytetar ndjehet i barabartë me ato të BE-së, sepse transaksionet do të jenë me më pak kosto dhe më të shpejta. Por kjo është edhe një ditë që tregon se kur angazhimet politike ndiqen me vendosmëri mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët. Gjithashtu tregon se BE-ja është serioze në mbajtjen e premtimeve të saj, sigurisht pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet”, tha Gonzato.

Përfshirjen në SEPA kryeministri Edi Rama e renditi në rrjetet sociale si një hap më pranë BE.

Tashmë komisionet për transfertat elektronike nuk do të jenë më të larta se 25 euro, duke shënuar një ulje me gati 10 herë. Për transaksione deri në 40 mijë lejë do të ketë zero komisione, deri në 10 mln lekë sa 0.005% dhe mbi 10 mln lekë 10 euro.

Top Channel