Shembja e shkollës islame në Indonezi/ Konfirmohen 67 viktima, shumica djem adoleshentë

07/10/2025 10:30

Autoritetet indoneziane kanë përfunduar operacionet e kërkimit në rrënojat e një shkolle islame që u shemb javën e kaluar në provincën Java Lindore, pas nxjerrjes së mbi 60 trupave nga rrënojat.

Ngjarja tragjike ndodhi në qytetin Sidoarjo, ku shembja e strukturës së shkollës “Al Khoziny” gjatë lutjeve të pasdites la dhjetëra viktima, shumica djem adoleshentë. Shkaku kryesor i katastrofës mendohet të ketë qenë dobësia e themeleve dhe ndërtimi pa leje i dy kateve shtesë mbi objektin ekzistues.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive, janë konfirmuar 67 persona të vdekur dhe janë gjetur tetë pjesë trupash që ende po identifikohen nga policia. Ndërkohë, 104 persona janë shpëtuar. “Operacionet për shembjen e ndërtesës ‘Al Khoziny’ janë zyrtarisht të mbyllura,” deklaroi kreu i ekipit të kërkim-shpëtimit, Mohammad Syafii.

Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit përdorën ekskavatorë dhe vinça për të hequr betonin, ndërsa kërkonin për të mbijetuarit nën rrënoja. Drejtori i operacioneve, Yudhi Bramantyo, tha se zona është pastruar plotësisht dhe se është “shumë e pamundur” të gjenden më shumë trupa.

Sipas Ministrisë së Punëve Publike, nga mbi 42 mijë shkolla islame të tilla (të njohura si *pesantren*) në Indonezi, vetëm rreth 50 kanë leje ndërtimi të rregullt. Shembja e “Al Khoziny” ka shkaktuar zemërim të gjerë në vend, duke hapur debate mbi ndërtimet e paligjshme dhe neglizhencën institucionale.

Kujdestari i shkollës, kleriku Abdus Salam Mujib, kërkoi falje publike pas ngjarjes, duke e quajtur tragjedinë “vullnet të Zotit” dhe duke i bërë thirrje komunitetit për durim dhe besim.

Top Channel