
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka tronditur zonën e Martinsicuros, në rajonin e Abruzzos në Itali. Viktimë ka mbetur Emidio Croci, 47 vjeç, baba i tre fëmijëve, i cili u përplas për vdekje nga një shtetas shqiptarë.
Sipas mediave italiane, shkaktari i dyshuar i aksidentit është një 41-vjeçar shqiptar me inicialet A.K., banues në San Benedetto del Tronto. Ai po drejtonte një automjet tip “Mercedes-Benz A-Class”, i cili, sipas raportimeve, udhëtonte me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes me një SUV Mercedes GLB, ku ndodhej familja Croci.
Nga përplasja fatale, Emidio Croci humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij u dërgua me urgjencë në spitalin e Sant’Omero në gjendje të rëndë. Djali i tyre 11-vjeçar, që pësoi trauma në kokë, u transportua me helikopter në spitalin e Ankonës. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas aksidentit, shqiptari dhe një pasagjer tjetër në automjetin që ai drejtonte u larguan në këmbë nga vendi i ngjarjes, duke e braktisur atë pa ofruar ndihmë.
Policia italiane nisi kërkime intensive për kapjen e tyre, ndërsa pak orë më vonë 41-vjeçari shqiptar u vetëdorëzua në komisariat, ku më pas u dërgua në spital për të marrë trajtim mjekësor për plagët që kishte pësuar në aksident.
Ai është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Teramos për vrasje rrugore dhe braktisje të vendit të ngjarjes pasi dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e aksidentit.
Ndërkohë, personi i dytë që ndodhej në automjetin e tij vijon të jetë në arrati. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit të Teramos dhe ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për veprimet e mëtejshme hetimore.
Top Channel