
Ushtria e Mianmarit bombardoi një turmë të mbledhur në Festivalin Budist të Dritës dhe për të protestuar kundër juntës, duke vrarë më shumë se 40 persona, përfshirë fëmijë, tha një anëtar i komitetit organizues dhe një dëshmitar okular.
Amnesty International, e cila raportoi sulmin në një deklaratë, tha se 17-20 persona u vranë. Mijëra njerëz ishin mbledhur të hënën në mbrëmje në Chaung U, në Mianmarin qendror, për këtë festival të madh që shënon fundin e agjërimit budist.
Ushtria bombardoi në protestë, tha një anëtar i komitetit fqinj të komunitetit Monywa që organizoi festivalin. Gruaja, e cila kërkoi të mos jepte emrin për arsye sigurie, tha se turma ishte mbledhur për festimin, por edhe për të protestuar kundër juntës.
Bombardimi filloi rreth orës 7 të mbrëmjes, duke vrarë 40 persona dhe duke plagosur 80 të tjerë. “Komiteti ngriti alarmin dhe rreth një e treta e turmës arriti të largohej”, shtoi ajo. “Njerëzit mbanin qirinj dhe në momentin tjetër ata ishin në tokë, të gjymtuar. Fëmijë të vegjël u prenë në copa”, tha gruaja, e cila nuk ishte në vendngjarje, por mori pjesë në funeralet e viktimave sot.
Një banor i Chaung U, konfirmoi rrëfimin. Ai tha se njerëzit u përpoqën të iknin kur kuptuan se një aeroplan po fluturonte mbi ta dhe hodhi dy bomba. Dëshmitari tha se kishte varrosur nëntë nga miqtë e tij sot. Një media lokale citoi të njëjtën rrëfim. Amnesty International tha se sulmi “duhet të shërbejë si një kambanë alarmi se civilët në Mianmar kanë nevojë urgjente për mbrojtje”. “Bashkësia ndërkombëtare mund ta ketë harruar luftën në Mianmar, por ushtria po shfrytëzon vëmendjen e zvogëluar për të kryer krime lufte pa u ndëshkuar”, tha në një deklaratë Joe Freeman, një studiues në Amnesty International.
Top Channel