Kushte atmosferike të qëndrueshme dhe vranësira të pakta, ja si parashikohet moti për këtë të shtunë
Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua me katër plumba mesditën e të hënës në ambientet e gjykatës, ku tre prej tyre rezultuan fatalë duke i marrë jetën.
Autori ishte 30 vjeçari Elvis Shkambi, i cili ndodhej në Gjykatë si palë në proces lidhur me një konflikt pronësie në qytetin e Shkodrës. Një ditë pas tragjedisë, ku të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, në shumicën e gjykatave të vendit gjyqet janë pezulluar për gjithë javën. Ceremonia mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit gjyqtarit do të mbahet nesër në Pallatin e Kongreseve.
Top Channel ka siguruar ekskluzivisht dëshminë e xhaxhait të autorit, i cili thotë se “i ulet në gjunjë familjes së gjyqtarit, por kush dënon nipin tim, do përballet me plumba”.
Po ashtu, kanë dalë për herë të parë pamjet e autorit. Elvis Shkambi, pasi vrau gjyqtarin doli në ambientet e jashtme të gjykatës, me duar në xhepa dhe gjakftohtë. Pasi forcat e rendit mbërritën në vendin e ngjarjes, ai i thërret vetë policëve dhe iu thotë se vrasjen e kreu ai.
Vrasja në sallën e gjyqit të magjistratit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka tronditur opinionin publik.
Por ndërsa policia dhe Ministria e Brendshme deklaroi se nuk është detyra e tyre sigurimi me oficerë policie i gjykatave dhe se ruhen nga siguria private, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka publikuar letërkëmbimet mes Policisë dhe Ministrisë së Brendshme në vitin 2023, ku kërkonte shtim të punonjësve të policisë për sigurinë edhe brenda sallave, duke theksuar se u kërcënohet jeta magjistratëve.
Policia në kthim përgjigje, i deklaron KLGJ se nuk kanë mundësi për të shtuar numër efektivesh për ruajtjen e Gjykatave në ambientet e brendshme, përveçse një efektivi sipas ligjit, që qëndron në pjesën e jashtme të Gjykatave.
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të shkresave të KLGJ për çështjen e sigurisë nëpër gjykata. Bardhi i bën thirrje SPAK që ‘të hetojnë rolin dhe përgjegjësitë e papërmbushura të ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga viti 2023 e në vijim’.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Dje pas ngjarjes së rëndë dhe tronditëse të vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit dhe në krye të detyrës, fillimisht Kryeministri dhe më pas Ministrja e Brendshme, gënjyen publikisht opinionin publik, duke fshehur rolin e Policisë së Shtetit në sigurinë e gjykatave.
Demokrati Ervin Salianji ka reaguar pas publikimit të shkresave të KLGJ për çështjen e sigurisë nëpër gjykata dhe thotë se zinxhiri insitucional ka dështuar.
“Pas publikimit të shkresave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është e qartë se zinxhiri institucional që duhej të garantonte sigurinë e trupës gjyqësore ka dështuar.
Ky dështim nuk është rastësor është pasojë e një qeverisjeje që prej vitesh ka shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës”.
Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja që tronditi opinionin publik, Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Elvis Shkambi, 30 vjeç, hyri dje i armatosur në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit dhe zbrazi armën ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja duke e lënë të vdekur, si dhe plagosi dy të tjerë.
Ngjarja tronditëse mori edhe jehonë ndërkombëtare, ndërsa vetë Shkambi, u shfaq sypatrembur pas vrasjes.
Pamjet nga kamerat e sigurisë treguan 30-vjeçarin teksa rrinte me duar në xhepa para gjykatës, dhe teksa policët po e kërkonin, ai ngriti duart duke iu thënë “jam unë”.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit një ditë më parë, nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, ishte jo vetëm tronditëse, por ngriti edhe pyetje të shumta mbi arsyet që mund të çojnë një individ në ndërmarrjen e një akti të tillë.
14:45 Dhoma e Avokatisë merr vendimin: Bojkotojmë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka marrë vendimin të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore penale, civile dhe administrative në të gjitha nivelet e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.
Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja që tronditi opinionin publik, Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka bërë thirrje që të sigurohet jeta e gjyqtarëve, pas ngjarjes tragjike të ndodhur dje në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Kreu i Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe kreu i Policisë Tiranë Elton Alushi kanë mbërritur në Gjykatën e Apelit, aty ku një ditë më parë u vra brenda sallës së gjyqit Astrit Kalaja.
12:54 “Ndjej se do kemi probleme”, çfarë deklaroi gjyqtari Astrit Kalaja para nisjes së seancës
“Ndiej se do kemi probleme me këta se janë problematikë. Kam dhe çështje te tjera gjyqësore me ta”, mësohet të ketë thënë gjyqtari Astrit Kalaja para nisjes së seancës së djeshme në Gjykatën e Apelit.
Pas ngjarjes të ditës së djeshme, ku mbeti i vrarë brenda sallës gjyqtari Astrit Kalaja, Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka pezulluar të gjitha proceset gjyqësore përgjatë kësaj të marte.
Pasi kërcënoi se do kishte sërish vrasje në drejtësi nëse do dënohej nipi i tij, është arrestuar edhe xhaxhai tjetër i autorti, Gjovalin Shkambi.
Në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur pezullimin e seancave gjyqësore për datat 7 dhe 8 tetor 2025.
Mes gjyqtarëve, prokurorëve por edhe avokatëve ka frikë për sigurinë e tyre, një ditë pasi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë u thye siguria dhe një qytetar ngriti dorë mbi vënësin e drejtësisë, gjyqtarin Astrit Kalaja.
Babë e bir, të cilët mbetën të plagosur nga të shtënat me armë dje në Gjykatën e Apelit kanë dalë sot nga spitali, pasi janë jashtë rrezikut për jetën.
“Për të ndjerin Astrit Kalaja, i ulem në gjunjë atij e familjes së tij. Është diçka aksidentale. Pavarësisht ai e ka dit historinë e pronës sonë, ka qenë gjykatës i Shkallës së Parë. E ka ditur…dhe të njëjtin fat që e dënon nipin. Ta marrin vesh tan bota, nuk ulemi ne. Djalin e vëllait e ka çuar shteti, nuk e ka bërë ai, është me shkollë. Ta marri vesh gjithë bota mbarë, plumba kanë. Ia kemi blerë shtetit. Ka çuar dy vajza me shkollë pa buk në burg. Ata do japin gjykim të përjetshëm por nuk do dalin të gjallë. Jam në pronë time, ia kam blerë shtetit”-thotë xhaxhai.
11:55 Gjykata e Durrësit pezullon seancat për dy ditë në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka vendosur pezullimin e seancave gjyqësore për datat 7 dhe 8 tetor 2025.
“Nëse dënojnë atë, do të përballet me të njëjtën gjë. Ai gjyqtari që do e dënojë do përballet me plumba. Ka 13 vite që i shkojmë kryeministrit. Na e jepni pronën që e kemi ble. Dhe me mua ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë. Ja kemi ble shtetit, ose me na çu në burg”-shprehet xhaxhai i Elvisit.
Të enjten do të thirret mbledhja e përgjithshme e gjyqtareve të vendit. Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha. Mbledhja do të zhvillohet pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja ditën e djeshme në krye të detyrës në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Në Gjykatën e Shkodrës nuk ka një vendim institucional për ndërprerjen e seancave gjyqësore, por me vendim personal gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët kanë vendosur të mos zhvillojnë seanca gjyqësore.
Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka pezulluar të gjitha proceset gjyqësore gjatë datës 7 deri më 10 tetor, sipas asaj që mëson gazetari i Top Channel, Mikel Marsi.
Vendimi është marrë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së Gjykatës së Apelit nga Elvis Shkambi.
Gazetarja Anila Hoxha ishte sot në Gjykatën Apelit, brenda korridoreve që përshkoi për herë të fundit Gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u drejtua për në sallën numër 3 ku u mbajt seanca gjyqësore ku ndodhi krimi i paprecedentë.
Përveç gjyqtarit, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ishin palë në çështjen civile që po shqyrtohej.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të dalin sot nga spitali. Djali ka marrë një plumb në krah, i cili ka hyrë dhe dalë pa shkaktuar dëmtime të rënda, ndërsa i ati ka pësuar djegie sipërfaqësore nga goditja, por nuk është qëlluar drejtpërdrejt me armë.
Trupi i gjyqtarit të ndjerë, Astrit Kalaja, i cili u vra brenda në sallën e Gjykatës së Apelit nga Elvis Shkambi, do të prehet në Shkodër.
Ceremonia mortore nga ana tjetër do të mbahet më 8 tetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, teksa diskutohet se do të jetë një funeral me protokoll shtetëror.
Policia e Tiranës ka zbardhur në detaje ngjarjen tronditëse të ndodhur në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. Hetimet paraprake zbulojnë se autori Elvis Shkambi kishte kaluar përmes detektorit i armatosur, i shoqëruar nga xhaxhai i tij, ndërsa punonjësi i sigurisë nuk reagoi, duke qëndruar i ulur në vendin e tij. Në lidhje me këtë ngjarje, janë arrestuar tre persona.
Zbardhet e plotë dinamika e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.
Policia ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka arrestuar tret e persona të përfshirë në këtë ngjarje tronditëse.
08:50 FOTOLAJM/ Heshtje në drejtësi, Gjykata e Apelit bosh pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja
Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, një heshtje ka ‘mbuluar’ Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Në fotot e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shihet gjykata bosh.
Ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit nga një person i përfshirë në procesin gjyqësor, ka marrë vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare.
CNN ka raportuar për ngjarjen e paprecedentë, duke theksuar se sulmi ndodhi në një vend që ka ndërmarrë prej vitesh reforma të thella në drejtësi, por që përballet ende me sfida të mëdha në funksionimin e sistemit.
00:03 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, nesër pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit
Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, konfirmojnë burimet e gazetares së Top Channel Anila Hoxha.
Do të hidhet shorti vetëm për 12 masa sigurie, pasi mbaron afati. Të 12 masat i kishte gjyqtari që u vra sot brenda sallës së gjyqit.
Burimet thonë se gjyqtari ishte në treshe së bashku me Gilda Hoxhën dhe Enkelejda Bajo.
Një gjyqar ka rrëfyer për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.
“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”-ishin fjalët e gjyqtarit.
Top Channel