
Industria e çelikut në Mbretërinë e Bashkuar është përballë asaj që ekspertët e quajnë “ndoshta kriza më e madhe ndonjëherë”, pas njoftimit të Bashkimit Evropian për rritjen e tarifave mbi çelikun e importuar.
Sipas planeve të reja të Komisionit Evropian, kuotat pa tarifa do të përgjysmohen dhe çdo sasi përtej 18.3 milionë tonëve do të përballet me një tarifë 50%.
BE përbën 78% të eksporteve të çelikut të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar, me një vlerë vjetore prej afro 3 miliardë paund. Masa e re do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të thellë në këtë sektor, duke rrezikuar mijëra vende pune dhe të ardhurat e fabrikave të mëdha.
Drejtori i përgjithshëm i UK Steel, Gareth Stace, paralajmëroi për një “katastrofë të mundshme” nëse qeveria nuk vepron për të siguruar kuota të veçanta për Mbretërinë e Bashkuar. Sindikata Community e cilësoi situatën si një “kërcënim ekzistencial”.
Duke folur gjatë një udhëtimi për në Indi, kryeministri Sir Keir Starmer konfirmoi mbështetjen për industrinë, por nuk dha detaje nëse po kërkohet një përjashtim nga rregullat e BE-së. “Do të jem në gjendje t’ju tregoj më shumë në kohën e duhur”, tha ai.
Nënkryetari i Komisionit Evropian, Stéphane Séjourné, deklaroi se vendimi vjen si përgjigje ndaj mbikapacitetit global, subvencioneve shtetërore dhe konkurrencës së pandershme nga vende si Kina dhe Turqia. Ai shtoi se vetëm në vitin 2024, 18 mijë vende pune në sektorin evropian të çelikut u humbën.
Lëvizja e BE-së pason vendimet e SHBA-së, ku presidenti Donald Trump ka vendosur tarifa të larta mbi çelikun e huaj. Edhe Kanadaja, Meksika dhe Brazili kanë ndjekur shembullin për të mbrojtur prodhuesit vendas.
Ekspertët paralajmërojnë se tarifat e BE-së mund të çojnë në ridrejtimin e miliona tonëve çelik nga tregjet ndërkombëtare drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke rritur ndjeshëm presionin mbi prodhuesit vendas dhe rrezikuar mbijetesën e shumë fabrikave.
Top Channel