Garë në Everest për evakuimin e alpinistëve të bllokuar pas stuhisë së dëborës

07/10/2025 17:38

Më shumë se 200 alpinistë të bllokuar në temperatura nën zero pranë faqes lindore të malit Everest në Tibet pritet të evakuohen deri sot, tha një burim për situatën.

Të apasionuarit e aktiviteteve në natyrë kanë mbushur Kinën kontinentale që nga 1 tetori për pushime tetëditore, por një stuhi e papritur dëbore gjatë fundjavës i zuri në befasi qindra alpinistë, të cilët shpresonin të shihnin nga afër anën Kangtsung të Everestit në befa.

Largimi i tyre i nxituar, i cili filloi të hënën, duhet të përfundojë deri sot, tha burimi, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me median për këtë çështje. Qeveria rajonale e Tibetit nuk ka komentuar.

Duke ndjekur gjurmët në dëborë

Të shtunën, reshjet e borës goditën Luginën e largët Karma të Tibetit, në një lartësi mesatare prej 4,200 metrash. Të dielën, ekipet e shpëtimit çuan rreth 350 alpinistë të bllokuar në një vend të sigurt.

“Për fat të mirë, disa njerëz përpara nesh po pastronin shtigjet, duke lënë gjurmë që ne mund t’i ndiqnim, gjë që e bëri pak më të lehtë”, tha Eric Wen, 41 vjeç, duke shtuar se iu desh të ecte 19 kilometra, pjesa më e madhe e të cilave ishte e mbuluar me borë të trashë, për t’u larguar nga lugina.

“Përndryshe, do të ishte e pamundur për ne të ia dilnim mbanë vetë”, shtoi ai.

Nuk kishte asnjë përditësim zyrtar mbi gjendjen e shëtitësve të mbetur deri në orën lokale të vonë, megjithëse media shtetërore kineze raportoi se kontakti me ta ishte rivendosur.

“Nëse parashikohet mot i keq, shëtitësit dhe alpinistët duhet të njoftojnë autoritetet lokale saktësisht se ku ndodhen dhe duhet të qëndrojnë në një vend të sigurt, qoftë një strehë, një shtëpi mysafirësh, një tendë larg zonave të prirura për ortekë apo larg shtretërve të lumenjve”, tha alpinistja Adriana Brownlee për Reuters.

“Të gjithë alpinistët dhe shëtitësit duhet të mbajnë me vete të paktën një telefon satelitor ose një pajisje gjurmimi në çdo kohë.”

Lugina e Karmës, e cila u eksplorua për herë të parë nga udhëtarët perëndimorë një shekull më parë, është relativisht e pashkelur. Ajo pret më pak vizitorë sesa ana veriore e Everestit, e cila është e arritshme me rrugë tokësore. Më shumë se 540,000 turistë vizituan rajonin e Everestit vitin e kaluar, një rekord i ri.

“Një metër borë”

Stuhia e borës pengoi gjithashtu planet e alpinistëve të udhëhequr nga ekipi amerikan i alpinizmit Madison për t’u ngjitur në majën 8,188 metra Cho Oyu në kufirin Kinë-Nepal, e gjashta më e lartë në botë.

“Një stuhi e fortë u zhvillua papritmas dhe solli mbi një metër dëborë në Everest dhe majat përreth Himalajeve”, tha udhëheqësi i ekspeditës Garrett Madison për Reuters në një mesazh të hënën.

Sapo të përmirësohet moti, ata planifikojnë të vazhdojnë ngjitjen e tyre.

Top Channel