Për herë të parë në një takim trepalësh, Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë për armët bërthamore Duke mbajtur në duar një flamur të madh palestinez dhe duke brohoritur thirrjet “Palestina e Lirë” dhjetëra qytetarë grekë në aeroportin “Elefterios Venizelos” kanë pritur mbrëmjen e djeshme, me emocion dhe entuziazëm 27 aktivistët grekë dhe 134 të huaj nga 15 vende evropiane, pjesë e flotilës Global Sumud, që u nis për të çuar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Pas disa ditësh të mbajtjes në burgjet izraelite, aktivistët që u kthyen në Athinë treguan se, pavarësisht dhunës dhe trajtimit të ashpër nga forcat izraelite, nuk pendohen për asgjë.
“Ajo që përjetuam ne është vetëm një përqindje e vogël e asaj që kalojnë mijëra palestinezë të burgosur, mes tyre edhe qindra fëmijë,” thanë për mediat greke.
Në qendër të vëmendjes ishte Greta Thunberg, aktivistja e njohur suedeze për klimën , që foli me zë të dridhur, por plot forcë, përpara gazetarëve dhe përkrahësve të çështjes palestineze: “Një gjenocid po ndodh para syve tanë — një gjenocid që transmetohet drejtpërdrejt në telefonat tanë. Askush nuk ka të drejtën të thotë se nuk e dinte çfarë po ndodhte. Askush në të ardhmen nuk do të mund të thotë ‘nuk e dija’. Sipas ligjit ndërkombëtar, shtetet kanë detyrimin ligjor të veprojnë për ta parandaluar dhe ndalur një gjenocid”.
Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se ka deportuar gjithsej 171 aktivistë në Greqi dhe Sllovaki.
Flotilja ishte nisur nga Barcelona, në fillim të shtatorit, dhe u ndalua nga marina izraelite pranë Egjiptit javën e kaluar pasi u cilësua nga qeveria Netanjahu si degë e Hamasit dhe u tha se anijet shkelën një zonë të ndaluar ,ndërsa pak ndihma humanitare u gjetën në bord.
Ndërkohë shumë prej aktivistëve që u kthyen në Athinë deklaruan se do të rikthehen sërish në Gaza, derisa të përfundojë gjenocidi.
Top Channel