
Duke mbajtur në duar një flamur të madh palestinez dhe duke brohoritur thirrjet “Palestina e Lirë” dhjetëra qytetarë grekë në aeroportin “Elefterios Venizelos” kanë pritur mbrëmjen e djeshme, me emocion dhe entuziazëm 27 aktivistët grekë dhe 134 të huaj nga 15 vende evropiane, pjesë e flotilës Global Sumud, që u nis për të çuar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Pas disa ditësh të mbajtjes në burgjet izraelite, aktivistët që u kthyen në Athinë treguan se, pavarësisht dhunës dhe trajtimit të ashpër nga forcat izraelite, nuk pendohen për asgjë.
“Ajo që përjetuam ne është vetëm një përqindje e vogël e asaj që kalojnë mijëra palestinezë të burgosur, mes tyre edhe qindra fëmijë,” thanë për mediat greke.
Në qendër të vëmendjes ishte Greta Thunberg, aktivistja e njohur suedeze për klimën , që foli me zë të dridhur, por plot forcë, përpara gazetarëve dhe përkrahësve të çështjes palestineze: “Një gjenocid po ndodh para syve tanë — një gjenocid që transmetohet drejtpërdrejt në telefonat tanë. Askush nuk ka të drejtën të thotë se nuk e dinte çfarë po ndodhte. Askush në të ardhmen nuk do të mund të thotë ‘nuk e dija’. Sipas ligjit ndërkombëtar, shtetet kanë detyrimin ligjor të veprojnë për ta parandaluar dhe ndalur një gjenocid”.
Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se ka deportuar gjithsej 171 aktivistë në Greqi dhe Sllovaki.
Flotilja ishte nisur nga Barcelona, në fillim të shtatorit, dhe u ndalua nga marina izraelite pranë Egjiptit javën e kaluar pasi u cilësua nga qeveria Netanjahu si degë e Hamasit dhe u tha se anijet shkelën një zonë të ndaluar ,ndërsa pak ndihma humanitare u gjetën në bord.
Ndërkohë shumë prej aktivistëve që u kthyen në Athinë deklaruan se do të rikthehen sërish në Gaza, derisa të përfundojë gjenocidi.
Top Channel