Fiks Fare/U bë virale me ankesën te Kryeministri se i ‘forti’ i zuri derën e banesës, Bashkia e Vlorës e sorollat!

07/10/2025 21:00

Në datën 7 korrik 2025, një qytetare ndoqi për disa minuta kryeministrin Edi Rama, gjatë një vizite në Vlorë.

Në datën 7 korrik 2025, një qytetare ndoqi për disa minuta kryeministrin Edi Rama, gjatë një vizite në Vlorë. Në atë kohë, kryeministri i tha zonjës që mos ta ndjekë. “Ik! E di që ke hall, po ik” i tha kryeministri, teksa autorizoi persona të stafit që t’i merrnin ankesën dhe t’i jepnin një zgjidhje.

Por, më shumë se 3 muaj pas asaj ndodhie, asnjë person apo institucion s’i ka dhënë zgjidhje problemit. Zonja Merushe Gavani i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” që zëri i saj të dëgjohet sërish. “Unë s’kam ku të dal nga banesa. Komshiu, i cili quhet Helidon Gjikoka, më ka zënë rrugën. Ne te kjo banesë jemi prej më shumë se 70 apo 80 vitesh.
Kjo është lagja ‘Partizani’, lagje e vjetër e Vlorës dhe shumë afër bashkisë. Nuk e di si e bëri komshiu, po na ka zënë rrugën historike që ne hynim dhe dilnim” thotë Merushja.

Sipas saj, nëse do të hapin portën, nga ana tjetër janë vendosur disa dërrasa. Kamera e Fiks Fare filmoi banesën e familjes Gavani, e cila tashmë s’ka asnjë rrugë për hyrje-dalje nga banesa. “Unë tani e moshuar duhet të kaloj nga tualeti i komshiut tjetër që të hyj dhe dal në banesë. Burrin e kam të sëmurë, të paralizuar. Unë i kam kërkuar shtetit vetëm një rrugë” pohon ajo.

Pas ankesës, zonja Merushe dhe djali i saj interesohen në Bashkinë e Vlorës. Kërkojnë një rrugë për në banesë. Në Bashkinë e Vlorës i thonë se duhet të interesohet pranë Policisë Bashkiake dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, të Vlorës, pasi ata janë institucioni që merret me këtë problem.

Zonja dhe djali i saj shkojnë më pas te Policia Bashkiake dhe IMT-ja e Bashkisë së Vlorës. Takojnë punonjësit dhe i tregojnë problemin. Punonjësit i thonë se duhet të interesohen te Bashkia e Vlorës, te drejtoria e Urbanistikës. “E kanë ata të familjes Gjikoka” i thotë qytetarja punonjëses, ndërsa kjo e fundit e pyet se kush janë këta. “Janë
ata të ‘fortët’, ata që na zunë rrugën” i përgjigjet më pas qytetarja.

Punonjësja i thotë se ndaj kanë frikë institucionet të ndërhyjnë. “Asnjëri nuk shkon, ndaj ju sorollasin. Ikni në bashki dhe bëni ankese te protokolli. Ankohu se dua një rrugë. Ata kanë frikë të ndërhyjnë” i thotë punonjësja. Ndërkohë, nënë e bir i bëjnë me dije punonjëses se komshiu po bën punime. “Tani s’kam patrullë, se janë duke hequr tabelat.
Do vijnë nga e marta (pas disa ditësh)” i thotë ajo. “Vetëm sorollatje, unë i kërkova kryeministrit zgjidhje, po këta më çuan sërish te Bashkia e Vlorës” pohon qytetarja.

Më pas, grupi i Fiks Fare shkon te komshiu, Helidon Gjikoka. Para banesës së tij 3–katëshe, ai po kryente punime, madje ngjitur me murin e familjes Gavani. Ai i tregon gazetarëve të Fiks Fare se me familjen Gavani kanë qenë në gjyq, ku ai ka fituar edhe një vendim për cënim prone.

Fiksi i kërkon edhe dokumentet e pronës, ndërkohë Helidon Gjikoka u vë në dispozicion edhe një certifikatë pronësie. Por, në hartën bashkëngjitur duket se prona e familjes Gjikoka nuk shkon deri te muri i familjes Gavani, por ka një rrugë. Ai thotë se në certifikatë e ka që kufitar është me familjen Gavani.

Gazetarët i kërkojnë nëse për këto punime që po kryen (shtrim çakulli, pllaka të mëdha betoni, pllaka trotuari), ka apo jo leje ndërtimi. Ai thotë se ka shkuar në Bashkinë e Vlorës dhe i kanë thënë se bëhen vetëm me një deklaratë. E ka bërë deklaratën disa ditë më parë, teksa Fiksi i thotë se pas kësaj deklarate a ka ndonjë vendim të Bashkisë së
Vlorës për miratimin e saj apo jo.

“Nuk e dija që duhej miratimi. Deri tani s’kam një të tillë” thotë ai. Fiksi e pyet se ku ka kaluar familja Gavani para viteve ‘90. Thotë se te kjo rruga, por ai është bërë pronar pas viteve ’90 ku ka bërë edhe ndërtimin. “E kam me certifikatë” thotë ai, ndërsa gazetarët i bëjnë me dije se oborrin po e shtron ngjitur me murin e familjes, kur në certifikatë s’e ka deri ngjitur me murin.

“Tani, nëse ata s’kalojnë nga ana tjetër, se janë të tyret, apo të hapi një rrugë ngjitur me pallatin, unë do t’i lë” përfundon ai.

FOTO GALERI
1/1
Në datën 7 korrik 2025, një qytetare ndoqi për disa minuta kryeministrin Edi Rama, gjatë një vizite në Vlorë.

Top Channel