Dy vite nga sulmi i 7 tetorit/ Sinjale paqeje shihen në horizont, Hamasi pozitiv për një armëpushim të mundshëm

07/10/2025 10:17

Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 732-të, teksa sot shënohen dy vjet nga sulmet e 7 tetorit.

Izraelitët kanë përkujtuar përvjetorin në Festivalin e Nova, në shkretëtirën e Negevit, aty ku në vitin 2023 u vranë 1,250 persona dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Familjet e viktimave u mblodhën në vendin e masakrës, ku mbajtën një minutë heshtje në nderim të të humburve. Atmosfera e dhimbjes dhe kujtimit është shoqëruar me thirrje për drejtësi dhe përfundimin e dhunës që vazhdon prej më shumë se dy vitesh.

Ndërkohë, në Egjipt ka përfunduar raundi i parë i negociatave midis Hamasit dhe Izraelit, që synojnë një armëpushim të mundshëm në Rripin e Gazës. Burime pranë delegacionit të Hamasit kanë deklaruar se bisedimet janë zhvilluar në mënyrë “pozitive”, duke rritur shpresat për përparim në planin e paqes.

Sipas mediave egjiptiane, raundi i dytë i negociatave pritet të nisë sot në Sharm el-Sheikh, ku tashmë ka mbërritur edhe delegacioni izraelit. Ndërmjetësimi i Egjiptit dhe vendeve të tjera të rajonit shihet si kyç për arritjen e një marrëveshjeje që mund të ndalë luftimet dhe të hapë rrugën për zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Top Channel