
Më 7 Tetor 2023, një sulm i papritur nga Hamas tronditi Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë peng 251 të tjerë.
Një ditë më vonë, më 8 Tetor, Izraeli nisi ofensivën ushtarake më të madhe në historinë e tij ndaj Gazës, që brenda dy vitesh ka rezultuar shkatërruese për popullsinë palestineze. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të drejtuar nga Hamas, të paktën 66.000 persona janë vrarë, 80% prej tyre civilë, dhe mbi 169.000 janë plagosur. Shifrat e vërteta pritet të jenë edhe më të larta.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin raporton se rreth 90% e banesave në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar, duke zhvendosur mbi 1.9 milionë njerëz nga 2.1 milionë banorë. Ndërkohë, bllokada totale e vendosur nga Izraeli ka përkeqësuar krizën humanitare, me raste të urisë ekstreme që kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 450 personave, mes tyre 150 fëmijë.
Qëllimet e luftës nuk janë arritur
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shpalli dy objektiva të qarta: lirimin e të gjithë pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit. Dy vite më pas, asnjëri prej tyre nuk është arritur plotësisht. Nga 251 pengje, 148 janë kthyer të gjallë në Izrael, ndërsa 48 mbeten ende në Gaza, vetëm 20 prej tyre mendohet se janë gjallë.
Edhe pse një numër i madh luftëtarësh dhe liderësh të Hamasit janë vrarë, përfshirë Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar, organizata ende ekziston dhe vepron në Gaza.
Në fund të shtatorit 2025, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një plan paqeje me 20 pika, që synon çarmatimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve, duke ofruar amnisti për luftëtarët që pranojnë bashkëjetesën paqësore me Izraelin.
Konflikti shtrihet në gjithë rajonin
Luftimet nuk janë kufizuar vetëm në Gaza. Hezbollah në Liban dhe rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, kanë ndërmarrë sulme të vazhdueshme kundër Izraelit. Si kundërpërgjigje, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në Liban dhe Iran, duke vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe duke goditur rëndë objektiva iraniane, përfshirë instalacione bërthamore. Në Iran u vra edhe një nga figurat kryesore të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Rënia e regjimit të Bashar Al Assad në Siri në fund të vitit 2024 ka dobësuar më tej boshtin pro-iranian në rajon, duke forcuar pozicionin ushtarak të Izraelit.
Akuzat për gjenocid dhe presion ndërkombëtar
Operacionet e ashpra ushtarake të Izraelit në Gaza janë kritikuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Bombardimet mbi spitale, kampe refugjatësh dhe shkolla, si dhe pengesat për ndihmat humanitare, kanë shtuar akuzat për gjenocid ndaj popullsisë palestineze.
Organizata të ndryshme, përfshirë Kombet e Bashkuara, Shoqata Ndërkombëtare e Studiuesve të Gjenocidit dhe organizata izraelite si B’Tselem, kanë konfirmuar shqetësimet për krime të rënda. Në dhjetor 2023, Afrika e Jugut paditi Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), ndërsa në nëntor 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) lëshoi urdhër-arresti për Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant.
Njohja e shtetit palestinez
Tragjedia në Gaza ka rigjallëruar përpjekjet për njohjen e shtetit palestinez. Pas 7 Tetorit 2023, 20 vende të tjera — përfshirë Francën, Britaninë, Spanjën, Australinë dhe Kanadanë — kanë njohur zyrtarisht Palestinën, duke mbështetur zgjidhjen me dy shtete. Megjithatë, Izraeli e kundërshton këtë, duke e konsideruar si “shpërblim për Hamasin”, ndërsa vendet që kanë bërë njohjen kanë deklaruar se Hamas nuk do të ketë rol në një shtet palestinez të ardhshëm.
Disa shtete, si Afrika e Jugut, Kolumbia dhe Malajzia, kanë vendosur sanksione ndaj Izraelit, ndërsa në BE po diskutohen masa ekonomike ndëshkuese. Gjithsesi, vende si Gjermania vazhdojnë të kundërshtojnë këto hapa.
Përçarje e thellë brenda Izraelit
Në vetë Izraelin, shoqëria është thellësisht e ndarë lidhur me vijimin e luftës. Ndërsa disa ministra të krahut të djathtë bëjnë thirrje për aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor, protestat nga familjarë të pengjeve, arabë izraelitë, veteranë dhe qytetarë të zakonshëm janë shtuar. Mbi 60% e popullsisë kërkon një armëpushim, sipas një sondazhi të publikuar në korrik.
Dy vite pas 7 Tetorit, lufta ka lënë pasoja të rënda për civilët palestinezë, ka tensionuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka hapur një kapitull të ri, ende të paqartë, për të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Top Channel