Charlie Kirk po mendonte të tërhiqej nga kauza pro-Izrael, donatorët hebrenj po i ushtronin presion/ Zbulohen mesazhet e publikuara më parë

07/10/2025 22:38

Mesazhe private të publikuara nga Candace Owens tregojnë se Charlie Kirk, themeluesi i “Turning Point USA”, po mendonte të largohej nga kauza pro-Izrael për shkak të presionit dhe tërheqjes së fondeve nga disa donatorë hebrenj.

Zëdhënësi i organizatës, Andrew Kolvet, ka konfirmuar vërtetësinë e pamjeve të ekranit. Në mesazhe, Kirk ankohet se kishte humbur një donator prej 2 milionë dollarësh në vit pasi nuk pranoi të anulonte ftesën për Tucker Carlson në ngjarjen “AmericaFest”. Ai shkruan: “Donatorët hebrenj përmbushin të gjitha stereotipet. Nuk mund dhe nuk do të ngacmohem në këtë mënyrë”.

Publikimi i mesazheve vjen disa ditë pas vdekjes së Kirkut dhe ka nxitur spekulime dhe debate rreth pikëpamjeve të tij të vërteta për Izraelin. Sipas Owens, mesazhet ishin dërguar dy ditë para vrasjes së tij në një sulm me armë në Utah. Autori i dyshuar, Tyler Robinson, është arrestuar dhe mund të përballet me dënim me vdekje.

Tucker Carlson deklaroi se Kirk kishte kritikuar shpesh kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e quajtur “forcë shkatërruese” dhe duke akuzuar Izraelin për përdorimin e SHBA-së në luftëra të huaja.

Kirk ishte prej kohësh një mbështetës publik i Izraelit dhe kishte lidhje personale me vendin, përfshirë edhe faktin që atje kishte takuar bashkëshorten e tij.

Top Channel