Ekzekutimi i shqiptarit në Kolumbi, mediat vendase: U eliminua nga një vrasës me pagesë, mori pesë plumba në gjoks dhe krahë

06/10/2025 13:37

Një sulm i ri me vrasës me pagesë ka ndodhur të dielën pasdite në Medellín, pranë qendrës tregtare Santa Fe në zonën El Poblado, Komuna 14.

Sekretari i Sigurisë i qytetit, Manuel Villa Mejía, njoftoi se viktima ishte një burrë me dokumente ekuadoriane, por me shtetësi shqiptare. Viktima është identifikuar si Artur Tuçi, 44 vjeç, i lindur në Shqipëri.

Gjithashtu ai shton se vrasësi ishte paguar për t’i marrë jetën shqiptarit, i cili u godit me 5 plumba në gjoks dhe në krahë, shkruajnë mediat.

Vrasësi, i cili po udhëtonte me motoçikletë, u arrestua në komunën e Bello-s, në veri të Luginës së Aburrá-s. Motoçikleta dhe arma e përdorur në sulm u sekuestruan. Nga ngjarja mbeti e plagosur një grua, e cila shoqëronte viktimën.

Villa Mejía theksoi se motivet dhe detajet e incidentit po hetohen aktualisht nga autoritetet.

Sipas analizave të InSight Crime, rrjetet kriminale shqiptare luajnë një rol kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë për operacionet e tyre transatlantike. Këto grupe negociuan direkt me prodhuesit e kokainës në Kolumbi, duke blerë drogë për 2,000–4,000 dollarë për kilogram dhe duke e rishitur në Evropë për 30,000–40,000 dollarë.

Top Channel