
Ike Turner Jr., djali i legjendarëve të muzikës Tina dhe Ike Turner, ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, një ditë pas ditëlindjes së tij.
Lajmin e konfirmoi kushërira e tij, Jacqueline Bullock, për TMZ, duke njoftuar se Ike Jr. ndërroi jetë në një spital të Los Angeles-it si pasojë e dëmtimit të veshkave.
“Me hidhërim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të kushëririt tim, Ike Turner Jr.,” tha Bullock për “Page Six”, duke shtuar se ai ishte më shumë se një kushëri për të, një vëlla që u rritën së bashku në familjen e famshme Turner. Ajo gjithashtu zbuloi se shëndeti i tij ishte përkeqësuar vitet e fundit pas problemeve me zemrën dhe një goditjeje në tru muajin e kaluar.
Kunata e Ike Jr., Afida Turner, bëri homazh për të në Instagram: “Pusho në paqe Ike Jr. Ishe i mrekullueshëm, kunat. Jam e lumtur që fola me ty në telefon para se të ikje. Të dua, u prehtë në paqe.”
Ike Jr. ishte një nga dy djemtë e adoptuar të Tinës nga lidhja e saj me Ike Turner, dhe kishte ndjekur hapat e prindërve në muzikë si pjesë e grupit tribut The Love Thang Band, së bashku me vokalisten Sweet Randi Love. Ai fitoi një çmim Grammy për punën në albumin e vitit 2006, “Risin’ With The Blues”, i cili fitoi kategorinë për Albumin më të Mirë Tradicional të Bluesit.
Tina dhe Ike Sr. rritën katër fëmijë së bashku, ndërsa Tina ishte gjithashtu nënë e një djali, Raymond Craig, të cilin e kishte me muzikantin Raymond Hill. Ke Turner Jr. mbetet pjesë e trashëgimisë së familjes së famshme Turner, duke lënë pas talentin dhe ndikimin e tij në muzikë.
Top Channel