“Përfundova i katërti në garën për Topin e Artë, por u tërhoqa në kulmin e karrierës”/ Rrëfehet legjenda suedeze: Fillova të shisja fshesa me korrent

06/10/2025 10:36

Nëse jeta është një shfaqje, atëherë Tomas Brolin e ka interpretuar me guxim role të shumta. Nga futbollisti i njohur i viteve ’90, në sipërmarrës, lojtar pokeri dhe madje edhe shitës fshesash me korrent, suedezi i cili ende nuk i ka mbushur 56 vjeç, mbetet një nga personazhet më interesantë jashtë fushe.

Brolin spikati me Parmën, Leeds United, Crystal Palace dhe natyrisht me kombëtaren suedeze, ku arriti majën duke zënë vendin e tretë në Kupën e Botës 1994.

“Ishte një aventurë e paharrueshme,” rrëfen ai. “Fitova shumë me Parmën dhe me Suedinë, atë vit përfundova i katërti në garën për Topin e Artë. Jo keq, apo jo?”

Megjithatë, në kulmin e suksesit, në moshën 28-vjeçare, ai vendosi të tërhiqej. “Isha i lodhur nga stërvitja e përditshme dhe kisha projekte të tjera në kokë. Jeta është shumë e shkurtër për të bërë gjëra që nuk të pëlqejnë.”

Një takim i rastësishëm me një shpikës i ndryshoi drejtimin e jetës. “Më prezantoi një ide të re për fshesë me korrent dhe më tërhoqi shumë. Themeluam një kompani dhe aty mora shtytjen që të mos doja të kthehesha më në futboll.”

Edhe pse shumë i sugjeruan që ishte herët për pension, Brolin nuk u tërhoq. “Kisha arritur mjaft. Për mua sfidat janë gjithçka.”

Kujtimet nga koha te Parma janë ende të freskëta. “Kupa e Italisë e vitit 1992 ndaj Juventusit ishte fantastike. Po ashtu finalja në Wembley për Kupën e Fituesve të Kupave. Dhe më mungojnë orët e pingpongut me Gianfranco Zolën, që shpesh e mundja. Kështu lindi një miqësi e bukur që vazhdon edhe sot.”

Pas futbollit, Brolin u zhyt edhe në botën e pokerit profesionist. “Isha i qetë, si në fushë. Përpiqesha të studioja kundërshtarët. Por edhe ajo botë më lodhi. Unë gjithmonë kam nevojë për stimuj të rinj.”

Nëse do të rikthehej në futboll? Ai e përjashton. “E ndjek, shikoj Parmën, por nuk mund të gënjej duke thënë se nuk jetoj dot pa futboll. Jo, ajo kohë ka ikur.”

Pyetur nëse mund të bëhej trajner, ai përgjigjet prerë: “Jo. Një trajner duhet të kujdeset për 25 persona, unë përpiqem të kujdesem për veten. Jam më i lumtur kështu, me hobitë e mia, padelin, golf-in. Sekreti është të jetosh lehtë, të shijosh momentin.”

Për të, momenti kulmor mbetet goli i parë në Serie A. “Ishte nga një goditje këndi, me kokë. Shënova katër gola me kokë edhe pse jam vetëm 1.75 m i gjatë. Ky është futbolli, kjo është jeta: plot surpriza.”

Dhe sot, nga futbollist i famshëm në sipërmarrës të pazakontë, Brolin mbyll me një buzëqeshje: “Sot shes fshesë me korrent dhe jam i lumtur. Nesër? Kush e di…”.

Top Channel