Momente paniku në Itali, masivi i dheut dhe baltës shembet në mes të rrugës, 50 persona dhe dy komunitete mbeten të izoluara
Negociatat mes Hamasit dhe Izraelit po hyjnë në një fazë kritike, pasi këtë mëngjes kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Haya, u takua me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari në Kajro.
Pas këtij takimi, priten bisedime të mëtejshme indirekte me përfaqësues të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara në Sharm el-Sheikh.
Qëllimi i këtyre negociatave është të përcaktohet një datë për një armëpushim të përkohshëm dhe të vendosen themelet për fazën e parë të një plani paqeje. Sipas këtij plani, 47 pengje që mbahen aktualisht në Rripin e Gazës do të lirohen në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi një ditë më parë se bisedimet përfshijnë edhe lirimin e gjithsej 48 pengjesh, duke përfshirë trupin e ushtarit Hadar Goldin, i cili mbahet nga Hamasi që prej më shumë se një dekade.
Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka përshëndetur planin amerikan për Gazën dhe ka shprehur mbështetje për Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. “Nuk mund të mos shpreh vlerësimin dhe admirimin tim për Presidentin e SHBA-së Donald Trump,” tha al-Sisi në një fjalim zyrtar.
“Një armëpushim, kthimi i të burgosurve dhe pengjeve, rindërtimi i Gazës dhe fillimi i një procesi politik paqësor që do të çojë në njohjen dhe krijimin e një shteti palestinez, do të thotë se jemi në rrugën e duhur drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”,- shtoi ai.
Top Channel