
Shqiptari Pano Ruçi, i cili është duke mbajtur një grevë në Greqi për vdekjen e djalit të tij ka dhënë një intervistë për “Shqipëria Live” në Top Channel.
Ai tha se nuk do të ndalet dhe se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Ruçi hodhi poshtë aludimet se autoritetet gjyqësore greke pranuan kërkesën për zhvarrosjen e trupit të të birit dhe kryerjen e analizave të ADN dhe atyre toksikologjike, duke thënë se ‘janë vetëm llafe’.
Ndër të tjera ai tha se nëse autoritetet publikojnë analizat e të vdekurve, pas një viti, qeveria greke do të bjerë.
Pjesë nga intervista me Sidorela Gjonin:
Ruçi: Kërkesa ime nuk është ende e aprovuar tamam. Janë vetëm llafe nga gazetarët dhe është vetëm për analizat. Pra, nuk është 100% ajo që unë kërkoja. Ne duam analizat nga se djali im iku (vdiq). Sigurisht që do ta vazhdoj grevën, deri në fund. Kam një grup mjekësor që vjen tre herë nën ditë, jam mirë, por ka dhe orë që nuk ndihem aq mirë.
Ke marrë mbështetje nga shqiptarët…
Ruçi: Shqiptarët më kanë dhënë kurajo, edhe nga Shqipëria kam marrë shumë mesazhe. Familjarët janë pranë meje, sidomos djali im. Ai më jep shumë forcë.
Nga kush po pret një përgjigje sot?
Ruçi: Pres përgjigje nga qeveria greke që po na mashtron përditë. Vetëm llafe bëjnë.
Çfarë po kërkon ti?
Ruçi: Po bën dy vite e gjysmë që çuni im ka ikur (humbur jetën), ne kërkojmë pse nuk na japin analizat? Dua të di nga se vdiq. Po na i dhanë analizën qeveria vitin që vjen do bjerë.
Top Channel