Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes njoftoi ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme, atë të Reformës Zgjedhore dhe atë të Reformës Administrative Territoriale.

Për reformën administrative-territoriale drejtimin PS ia ka besuar ish-ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Mazniku, dhe reformën zgjedhore të përhershmit për çështjet zgjedhore Damian Gjiknuri.

“Dua t’ju informoj se grupi i PS do të institucionalizojë dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme në Kuvend. I pari Komisioni i Posaçëm për Reformën zgjedhore, traditë prej shumë vitesh që në fillim të çdo legjislature grupi i PS ka qenë nismëtari i ngritjes së këtyre komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore.

Uroj shumë që komisioni të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë në Kuvend për të përmbyllur rekomandimet e OSBE ODIHR ndër vite, ku do të theksoja mbetet çështja e depolizitimit të Komisioneve Zgjedhore, duke risjellë në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit ku formacione të caktuara politike kontestuan punën  e komisionerëve apo numëruesve të tyre vunë në dyshim cilësinë e punës së tyre.

PS mbetet partia që ndër vite e ka mbështetur çështjen e depolitizimit. Kam theksuar se ndër çështjet që duhet të adresojë Komisioni i Posaçëm  Reformës Zgjedhore me urgjencë mbetet rritja e transparencës së fushatave zgjedhore dhe të partive politike. Mund t’iu them se është bërë punë e mirë me shumë ekspertë të atashuar ndër vite. Ligji për financimin e partive politike bën pjesë në detyrat e shtëpisë dhe duhet realizuar brenda këtij sesioni.

Çështja e dytë duhet adresuar në këto ndërhyrje të radhës që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Duhet të kemi nenet përkatëse ose draftin gati të republikës së Shqipërisë sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve për PE, sepse në pritshmëritë tona po afrohet momenti ku duhet të ketë edhe anëtarët e vet në PE. Nisma tjetër ka të bëjë me komisionin e Posaçëm te Reformës Administrative Territoriale. Projektvendimi i Kuvendit duhet të ketë paritetin e përfaqësimit mes maxhorancës dhe opozitës”, u shpreh Balla.

Top Channel