Illinois dhe Çikago padisin administratën Trump për vendosjes e Gardës Kombëtare

06/10/2025 20:30

Shteti amerikan i Illinois dhe qyteti i Çikagos paditën administratën Trump të hënën për vendosjen e qindra trupave të Gardës Kombëtare në një qytet të përshkruar si “zonë lufte”.

Një vendosje e ngjashme në Portland, një qytet tjetër i drejtuar nga demokratët, u ndalua përkohësisht këtë fundjavë nga një gjykatë.

“Amerikanët, kudo që jetojnë, nuk duhet të jetojnë nën kërcënimin e pushtimit nga forcat ushtarake amerikane, dhe sidomos jo thjesht sepse qyteti ose shteti i tyre nuk është më në favor të presidentit”, theksojnë në apelet e tyre autoritetet e Illinois dhe Çikagos, qytetit më të madh të shtetit.

Ata akuzojnë administratën Trump se po përdor demonstratat përpara një qendre të policisë së imigracionit (ICE) në një periferi të Çikagos si një “pretekst” për të justifikuar vendosjen e trupave.

“Megjithatë, larg kontributit në sigurinë publike në zonën e Çikagos, këto veprime provokuese dhe arbitrare kërcënojnë ta rrezikojnë atë duke provokuar protesta publike”, theksojnë paditësit, duke i bërë thirrje gjyqësorit të kundërshtojë këtë vendosje.

Ata kujtojnë, ndër të tjera, vdekjen më 12 shtator të një emigranti pa dokumente, i cili u vra në Çikago nga agjentët e ICE pasi refuzoi t’i nënshtrohej një kontrolli, katër ditë pas operacionit të madh në Illinois të quajtur “sulmi Midway”.

Presidenti republikan Donald Trump nënshkroi një urdhër të shtunën për të dërguar 300 anëtarë të Gardës Kombëtare në Çikago me qëllim “mbrojtjen e agjentëve federalë dhe pronës publike”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel