E njohur për rolet e saj në serialet “Grey’s Anatomy” dhe “The Big Bang Theory”, ndërron jetë papritur aktorja e njohur amerikane

06/10/2025 14:21

Aktorja Kimberly Hebert Gregory, e njohur për rolin e saj si drejtoresha e guximshme Belinda Brown në serialin “Vice Principals”, ka ndërruar jetë në moshën 52 vjeç. Shkaqet e vdekjes mbeten të pazbuluara.

Lajmin e bëri të ditur ish-bashkëshorti i saj, Chester Gregory, përmes një postimi në Instagram: “Ti ishe mishërim i shkëlqimit, një grua me ngjyrë, mendja e së cilës ndriçonte çdo dhomë. Prania jote mbante si zjarr ashtu edhe hir. Shumë më tepër sesa një ish-grua, ti ishe shoqja ime. Djali ynë, kënga që shkruam së bashku, është një jehonë e gjallë e dritës tënde.”

Roli i saj në “Vice Principals” i solli Gregory njohje ndërkombëtare, ndërsa aktori Walton Goggins, i cili luajti me të në serial, i bëri homazh në rrjetet sociale: “Dje humbëm një nga më të mirët… një nga më të mirët me të cilët kam punuar ndonjëherë. Pata nderin ta njihja dhe të punoja me këtë mbretëreshë në ‘Vice Principals’.”

Përveç këtij roli, Kimberly Hebert Gregory ka luajtur në seriale të suksesshme si “Grey’s Anatomy”, “The Big Bang Theory”, “New Amsterdam”, “Shameless”, “Gossip Girl”, “Two and a Half Men” dhe “Better Call Saul”, duke lënë një trashëgimi të pasur në industrinë televizive.

Fansat dhe kolegët e saj po i japin lamtumirën e fundit në rrjetet sociale, duke e përkujtuar si një aktore të talentuar dhe një person të jashtëzakonshëm.

Top Channel