“E nënvlerësuam Putinin”, Macron: Përgatituni për skenarin më të keq

06/10/2025 21:01

Niveli më i ulët barometrik në Evropë: “E kemi nënvlerësuar Putinin për shumë kohë”, thonë francezët. “Përgatituni për skenarin më të keq”, paralajmërojnë gjermanët.

Klima në zhvillim në Evropë lidhur me qëllimet e mundshme të Moskës pasqyrohet qartë në dy intervista të fundit në median gjermane. Nga njëra anë, Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaron prerazi se Gjermania duhet të përgatitet për skenarin më të keq në raport me Rusinë. Nga ana tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron pranon se Evropa e ka nënvlerësuar Vladimir Putinin për një kohë të gjatë.

Në një intervistë për gazetën ekonomike Handelsblatt, Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, duke komentuar incidentet e fundit me dronë mbi Gjermani dhe vende të tjera të NATO-s, u shpreh se “ushtria gjermane nuk mund të ndërhyjë kudo”, dhe theksoi se është jetike që “policia shtetërore dhe ajo federale të zhvillojnë aftësitë e tyre për të përballuar kërcënimet nga lartësitë e ulëta”.

Duke u ndalur te nevoja për forcimin e industrisë gjermane të mbrojtjes, Pistorius theksoi se qeveria federale po shqyrton një rol më aktiv të shtetit në industritë kritike të mbrojtjes, si prodhuesi i tankeve KDNS dhe kompania Thyssen-Krupp Marine, e cila merret me ndërtimin e anijeve luftarake.

Megjithatë, ai paralajmëroi për një “atmosferë të etheve të arit” në industrinë e mbrojtjes, për shkak të fluksit të investimeve, dhe ngriti shqetësimin për një “inflacion të ri në fushën e sistemeve të armëve”.

Në një intervistë ekskluzive për Frankfurter Allgemeine Zeitung, në kuadër të 35-vjetorit të Ribashkimit të Gjermanisë, Presidenti francez Emmanuel Macron u ndal te kërcënimet e reja me të cilat përballen Franca, Gjermania dhe Evropa në tërësi.

“Jemi në një fazë riarmatimi. Por për një kohë të gjatë kemi nënvlerësuar Rusinë. Po, Rusia është ekonomikisht më e dobët se Evropa, popullsia e saj po tkurret, dhe industria e saj nuk është inovative. Por ajo prodhon armë, dhe me një ritëm shumë më të shpejtë. E kemi nënvlerësuar kërcënimin. Nuk mund të kalosh nga një gjendje paqeje në një gjendje lufte brenda natës. Tashmë jemi në një gjendje konfrontimi të përhershëm”, tha Macron.

Sipas tij, “Rusia përbën kërcënimin më të madh strukturor për evropianët. Ajo rrezikon sigurinë tonë kolektive përmes ndërhyrjeve në zgjedhje, sulmeve kibernetike, vrasjeve të disidentëve dhe përdorimit të migracionit si mjet presioni. Po teston mbrojtjen tonë ajrore dhe ka ndryshuar doktrinën e saj bërthamore.”

Macron theksoi se shoqëritë e hapura janë të ndjeshme ndaj luftës së informacionit.
“Do të ishim naivë po të mos pranonim se ushtria e fshehtë ruse është e infiltruar në demokracitë tona. Ajo përbëhet nga ‘luftëtarë të padukshëm’, të njohur si robotë dixhitalë, të cilët manipulojnë demokracinë në Francë, Gjermani dhe mbarë Evropën”, tha ai.

Lidhur me mundësinë e një skenari ekstrem, si rrëzimi i avionëve rusë që shkelin hapësirën ajrore evropiane, Macron u përgjigj: “Në përputhje me doktrinën e paqartësisë strategjike, mund të them vetëm një gjë: asgjë nuk përjashtohet.”

Top Channel